Qindra mijëra njerëz kanë marshuar në rrugët e qyteteve kryesore evropiane për të bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, derisa numri i palestinezëve të vrarë në enklavë afrohet në 30 mijë si pasojë e sulmeve të pamëshirshme izraelite që nga 7 tetori.

Marshuesit në Londër u mblodhën në Marble Arch për të inicuar marshimin në Ditën Globale të Veprimit, organizuar nga grupet e avokimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe grupet e veprimit në Palestinë. Procesioni ndoqi rrugët kryesore në qendër të Londrës për të arritur në ambasadën izraelite.

Marshimi ishte një nga marshimet më të mëdha pro-palestineze të mbajtura në Londër që nga 7 tetori dhe në të morën pjesë edhe një grup protestuesish hebrenj.

Në kryeqytetin irlandez Dublin, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për të bërë thirrje për veprim në Gaza, si dhe për një armëpushim të menjëhershëm.

Kryeqyteti spanjoll Madrid po ashtu pa mijëra protestues që marshonin për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Gaza.

Ndërkohë, në qytetin gjerman Mynih, ku liderët dhe ministrat botëror po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, protestuesit u mblodhën rreth 200 metra larg nga vendi kryesor i konferencës për të kërkuar një armëpushim në Gaza.

Dhjetëra mijëra protestues mbushën gjithashtu sheshin kryesor Dam në kryeqytetin holandez Amsterdam. “Armëpushim tani”, “Stop gjenocidit” dhe “Palestina e lirë” ishin disa nga pankartat që po mbaheshin nga turmat.

Dita e dytë globale e veprimit u organizua nga Koalicioni Palestinez i formuar nga Fushata e Solidaritetit Palestinez, Forumi Palestinez në Britani, Koalicioni Stop Luftës, Miqtë e Al-Aksës dhe Shoqata Muslimane e Britanisë.

“Mbi 1.7 milionë qytetarë të Gazës janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, më shumë se 28 mijë palestinezë janë vrarë dhe 100 mijë të tjerë janë plagosur në atë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka pranuar si një rast të besueshëm të gjenocidit”, thuhet në deklaratën e përbashkët nga koalicioni.

Koalicioni theksoi se pavarësisht se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i bëri thirrje Izraelit të ndalojë aktet gjenocidale, “qeveria izraelite e ka bërë të qartë se synon të vazhdojë me një sulm ushtarak në shkallë të plotë në Rafah”./aa