Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, pas diskutimit të projektbuxhetit nga ministrja Manastirliu, e mori fjalën deputeti i opozitës, Agron Gjekmarkaj, i cili i kujtoi ministres së Arsimit dhe Sportit se pas 12 vitesh në pushtet, janë ende larg premtimit që bënë në vitin 2013, për një buxhet prej 5% të PBB.

Sipas Gjekmarkaj kjo na bën inferiorë krahasuar me buxhetet dedikuar arsimit nga vendet fqinje, ku dhe Kosova e Maqedonia e Veriut e kanë në shifrat 4% të PBB.

Me ironi, Gjekmarkaj përmendi se këtij vendi nuk ka se ç’i duhet shkenca për të cilën është caktuar një buxhet që llogaritet sa 0,06% e PBB.

Për deputetin e opozitës, veç buxhetit përbën shqetësim fakti se gjatë udhëtimeve të tij nëpër Shqipëri ka perceptuar frikën e angazhimit të mësuesve në politikë.

“Ndjehet kudo një trysni patronazhimi. Një vend që aspiron Bashkimin Evropian, duhet ta çlirojë administratën dhe mësuesit nga qortimi i drejtorëve dhe shefave rajonalë. Shpresoj që kjo mbledhje të shërbejë për sensibilizim dhe ky presion të bjerë disi”, tha Gjekmarkaj.

Në përgjigjen e saj, ministrja Manastirliu kërkoi përqendrim tek projektbuxheti për të cilin edhe ishin mbledhur dhe tha se ky projektbuxhet ka për qëllim fuqizimin e mbështetjen e mësuesve, përmes mbështetjes direkte, pagës së tyre dhe edukimit në vazhdim./ata