Filmi Oppenheimer ka rrëmbyer shumicën e çmimeve Bafta, duke përfshirë ato për filmin më të mirë, regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë dhe aktorin më të mirë në rol dytësor.

Filmi në regji të Christopher Nolanit për J Robert Oppenheimer, fizikantin që konsiderohet babai i bombës atomike, ka fituar gjithsej shtatë çmime në ceremoninë e mbajtur të dielën në Royal Festival Hall në Londër, Angli.

Cillian Murphy, i cili fitoi çmimin e aktorit më të mirë, falënderoi regjisorin Nolan që është “gjithmonë në kërkim të përsosmërisë”. Robert Downey Jr ka fituar çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor, për rolin në film si udhëheqës i Komisionit për Energji Atomike.

“Poor Things” ishte fituesi tjetër i dalluar i ceremonisë me pesë fitore, duke përfshirë çmimin e Emma Stone për aktoren kryesore. "Poor Things" ka fituar pesë çmime si dizajn kostumesh, grim dhe efektet vizuale.

Da'Vine Joy Randolph ka fituar çmimin e aktores më të mirë në rol dytësor për rolin e saj në filmin The Holdovers.

Drama rrëqethëse e Holokaustit “The Zone of Interest” nga regjisori Jonathan Glazer mori çmimin prestigjioz për filmin e jashtëzakonshëm britanik, si dhe filmin më të mirë jo në gjuhën angleze. Ndërkohë, filmi “Barbie”, “Saltburn”, “Maestro” dhe epika e drejtuar nga Martin Scorsese “Killers of the Flower Moon”, nuk morën çmime.