Të ardhurat totale për 12–mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 643.4 miliardë lekë ose 100.1% e planit fillestar të buxhetit të së njëjtës periudhë.

Ministri i Financave, Ervin  Mete bëri të ditur sot se ekonomia performoi pozitivisht në vitin 2023 dhe se krahasuar me vitin 2022, të ardhurat në 2023-shin janë rritur me 70.6 miliardë lekë ose +12.3% më shumë.

Edhe shpenzimet kanë pasur një performance të mirë, kryesisht edhe pas rishikimit të Buxhetit me aktin normativ të 14 dhjetorit 2023, që bëri një rishpërndarje të tyre.

Ministri Mete bëri të ditur se shpenzimet e përgjithshme publike arritën rreth 674.7 miliardë lekë. Realizimi i tyre ishte në nivelin 96.6 % të planit të së njëjtës periudhë.

Borxhi publik ra në fund të vitit 2023 në nivelin 59.2% të GDP-së, niveli më i ulët që nga viti 2008, ndërsa deficit ra në 1.4% të GDP-së, niveli më i ulët i të gjitha kohërave.

Gjithashtu, të ardhurat tatimore kanë patur një performanceë të mirë, me një realizim në masën 99.7% me planin e rishikuar në rritje me aktin normativ të Buxhetit 2023, në 14 dhjetor 2023.