Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vizitoi sot Shkollën e Mesme të Bashkuar në Xibër, Klos, e cila është riparuar së fundmi sipas parimeve të eficiencës së energjisë.

Kjo shkollë, në të cilën mësojnë 118 nxënës ishte e ndërtuar 14 vite më parë dhe për shkak edhe të kushteve atmosferike ishte amortizuar.

“Shkolla e re do të ofrojë kushtet optimale për të gjithë nxënësit, pasi përveç përmirësimit të infrastrukturës do të pajiset edhe me kaldajë“, u shpreh Balluku.

Në këtë shkollë, po ashtu po punohet për vendosjen brenda këtij muaji të paneleve diellore, duke bërë të mundur që shkolla të prodhojë vet energjinë që i nevojitet.

Zv/kryeminsitrja bëri të ditur se në bashkinë Klos është investuar edhe në dy shkolla të tjera.

Po ashtu, ajo theksoi se në një takim të zhvilluar këto ditë me ndihmëssekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ivana Živković, e cila po viziton Tiranën, mori mbështetje për financimin përmes granteve të projekteve për rritjen e eficiencës së energjisë në institucione publike, si kopshte, shkolla, spitale, konvikte etj./ata