Shqipëria dhe Turqia u angazhuan për kryerjen në mënyrë të shpejtë dhe pa kosto të komunikimit në zbatim të marrëveshjes për mbrojtjen shoqërore mes dy vendeve.
Përfaqësues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore si dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor zhvilluan sot një takim online me përfaqësues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Turqi.
“Në zbatim të marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen shoqërore u dakordësuam për shkëmbimin elektronik të formularëve të komunikimit, gjë që do të garantojë transmetim të sigurt të dokumentacionit, shmangien e vonesave, si dhe reduktim të kostove”, bëri të ditur drejtori i përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado.
Sipas tij, në total nga hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet ISSH dhe SGK turke janë ndjekur 737 praktika.
Shqipëria nënshkroi në fillim të këtij muaji edhe me Italinë marrëveshjen për njohjen e sigurimeve shoqërore nga e cila përfitojnë mbi 550 mijë shtetas shqiptarë.
Marrëveshje të ngjashme deri tani janë nënshkruar me Austrinë, Maqedoninë e Veriut, Belgjikën, Malin e Zi, Çekinë, Rumaninë, Gjermani, Turqi, Hungari, Zvicër, Kanadanë, Bullgarinë, Kosovën, Kroacinë, Luksemburgun dhe Italinë.
Gjithashtu, 17 marrëveshje për mbrojtjen sociale janë në proces negocimi me Greqinë, Moldavinë, Danimarkën, Slloveninë, Holandën, Australinë, SHBA, Francën, Poloninë, Suedinë, Serbinë, Norvegjinë, Spanjën, Islandën, Mbretërinë E Bashkuar, Finlandën, EBA.
Ndërsa 3 marrëveshje për mbrojtjen sociale me Indinë, Izraelin dhe Arabinë Saudite janë në proces vlerësimi./ata