Amnistia Penale pritet të kalojë për votim në seancën plenare të së enjtes, por për miratimin e saj kërkohen 84 vota.
I pyetur nëse deputetët e Partisë Demokratike do ta votojnë Amnistinë Penale, deputeti i kësaj partie, Kreshnik Çollaku u shpreh se kushti i Partisë Demokratike për të votuar pro amnistisë është lirimi nga akuza, hetimi apo dënimi i çdo qytetari që i është bashkuar protestave të Partisë Demokratike në 12 vite.
“Do ta kushtëzojmë votën me amnistinë e plotë të çdo protestuesi që ka mbështetur protestat e Partisë Demokratike në opozitë gjatë këtyre 12 viteve. Këtë e bëjmë pasi ne kemi thirrur njerëz në protesta, të cilët janë vënë nën akuzë dhe që janë dënuar me presionin e kësaj qeverie. Amnistia është një akt humanitar, vota jonë do të jetë e kushtëzuar me lirimin nga çdo persekutim penal i protestuesve që mbështetën opozitën, Partinë Demokratike në protesta”, tha Çollaku.
Ai mohoi që ky kushtëzim të jetë “pazar”me mazhorancën, duke shpjeguar se “vota jonë lehtëson vuajtjet e opozitarëve të dënuar apo të hetuar”.
“Nëse edhe demokrati i fundit nuk çlirohet, vota jonë s’ka për të qenë pro. Nëse mazhoranca bashkohet me këtë nismë, ne i bashkohemi dhe votojmë pro kësaj nisme”, tha Çollaku.
I pyetur mbi protestën e thirrur nga “Rithemelimi”, Çollaku tha se s’mund të mbështesë protestat kundër SHBA, për të ruajtur kultin e individit.
“Unë mbështes çdo protestë kundër Edi Ramës. Edhe sikur 1 person ta realizojë. Jam një ndër grevistët e 1991-shit. Nëse protesta do të ishte kundër Edi Ramës do ta mbështesja, por s’mund të dal në protestë kundër SHBA për kultin e individit”, tha Çollaku.
Ai shtoi se bashkimi i PD realizohet me tre premisa. “Së pari, ruajtja dhe respektimi i aleancës me aleatin tonë strategjik SHBA, së dyti mbështetja pa asnjë kusht e SPAK dhe së treti integriteti i çdo anëtari përballë aleatëve tanë SHBA dhe BE, si dhe përballë ligjit në vendin tonë”, tha Çollaku./ata