Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike të Shqipërisë (AKCESK), Igli Tafa, prezantuan sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare projektligjin “Për sigurinë kibernetike”.
 
Ministrja nënvizoi se projektligji është një nga prioritetet e qeverisë që garanton forcimin e nivelit të sigurisë kibernetike në vend.
 
“Projektligji përmirëson kuadrin ligjor për t’u përafruar me ‘Acqui’ e BE-në që del si domosdoshmëri për t’ju përgjigjur sulmeve apo incidenteve kibernetike dhe për të siguruar mekanizma ligjorë dhe institucionalë për t’u përballur me sfidat aktuale dhe të së ardhmes”, u shpreh Spiropali.
 
Ministrja Spiropali vlerësoi po ashtu, se ky projektligj reflekton një nga prioritetet e qeverisë duke garantuar forcimin e nivelit të sigurisë kibernetike në vend.
 
Spiropali solli në vëmendje rëndësinë e sigurisë kibernetike dhe ngritjes së infrastrukturave të rëndësishme të informacionit, ndërsa theksoi se “në epokën dixhitale teknologjia përshkon çdo aspekt të jetës dhe ka marrë rëndësi globale”.
 
“Edhe në shoqërinë shqiptare rrjetet dhe sistemet e informacionit luajnë një rol të rëndësishëm ku shpeshtësia dhe ndikimi i incidenteve të sigurisë kibernetike përbëjnë një shqetësim dhe kërcënim serioz për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit”, theksoi Spiropali.
 
Ministrja bëri të ditur se “parashikohet bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar për forcimin e sigurisë kibernetike në vend dhe përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare në këtë fushë”./ata