Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, nuk u mblodh ditën e sotme, ndryshe nga sa ishte njoftuar.

Kryetarja e komisionit Hetimor, Albana Vokshi, në një prononcim për mediet tha se shkak u bë mungesa e mazhorancës. Ajo kujtoi edhe kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla për zëvendësimin e anëtarëve të mazhorancës në komision.

“Pritëm kolegët që të vinin, rreth 30 minuta. Janë në kryesinë e Kuvendit, por nuk kanë ardhur. Koncesionet në Shëndetësi i kanë kushtuar 200 milionë euro dëm shtetit. Sot në rendin e ditës kishim kërkuar miratimin e kërkesave për informacion. Është mbledhja e 6 që bojkotohet nga deputetët e PS-së, pa asnjë arsye legjitime”, tha Vokshi.

Vokshi theksoi se mazhoranca ka bërë mbledhje ilegale.

Mazhoranca bën mbledhje ilegale, kërkojmë përgjigje nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Kërkuam pavlefshmërinë e mbledhjes të Plarent Ndrecës. Kërkuam anulimin e vendimeve të marra nga mazhoranca. Mazhoranca është e papërgjegjshme ndaj mbledhjeve të Komisioneve Hetimore parlamentare. Deputetët Milva Ekonomi dhe Plarent Ndreca janë në konflikt interesi për këtë komision. Po bojkotohen mbledhjet që të pengohet puna e Komisionit Hetimor”, përfundoi Vokshi./ata