Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit u shpreh se projektligji i propozuar nga mazhoranca, që i hap rrugën investimeve strategjike në zonat e mbrojtura, do të sjellë shkatërrimin e tyre.
Sipas Tabakut, ky draftligj i cili po diskutohet në komisionet parlamentare, i propozuar nga deputetët socialistë kërkon që të fshijë zonat e mbrojtura.
“Shkatërrimi i tyre, siç edhe parashikohet në propozimet që janë depozituar, apo çmontimi i statusit të tyre si zona të mbrojtura do të thotë zhbërja e viteve dhe përpjekjeve të sa e sa ambientalistëve dhe vullnetarëve për të konservuar mrekullinë tonë natyrore. Në të vërtetë kërkesat e paraqitura nga kolegët socialistë por edhe nga qeveria nuk janë vetëm se përpjekja për të shkatërruar balancën ekologjike dhe mbi të gjitha amanetin e të parëve tanë që na kanë lënë për këto vende, por dhe tradhtia më e madhe ndaj fëmijëve tanë”, shtoi Tabaku.
“Ndërsa drafti i dytë i propozuar e rëndon edhe më shumë krimin ekologjik duke i hapur rrugë ndërtimit në këto zona që tanimë do të kthehen në parcela toke vulnerabël për t’u betonuar me pasoja të rënda. Një lëvizje e tillë jo vetëm kundërshton angazhimin tonë ndërkombëtar dhe thyen direktivat e Bashkimit Europian, konventat e nënshkruara nga qeveritë shqiptare ndër vite por i hap rrugën dhe një zhvillimi që është më shumë i dëmshëm se sa i dobishëm në ato zona. Kjo, është një qasje dritëshkurtër që mund t’i ofrojë një pakice fitime afatshkurtëra por që do të dënojë përfundimisht shumicën dhe të ardhmen e vendit”, thekson Tabaku.
Sipas saj, qartësisht këto propozime ligjore janë të ndërlidhura me njëra tjetrën si një rrjetë merimange.
Tabaku u bëri thirrje deputetëve, qeverisë dhe të gjitha palëve të interesuara të rishikojnë rrugën ku do të çojnë këto projektligje. “Le të punojmë së bashku për të gjetur një qasje të balancuar që siguron që zhvillimi i kombit tonë të mos bëhet në kurriz të trashëgimisë sonë natyrore. Le të mbajmë mbrojtjet që ruajnë zonat tona të mbrojtura dhe të kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme që përfitojnë të gjithë shqiptarët, tani dhe në të ardhmen”, përfundoi Tabaku./ata