Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se ata do të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Rripin e Gazës.
Sipas deklaratës së zyrës së kryeministrit izraelit, Netanyahu tha se me fushatën diplomatike që po kryejnë prej rreth 5 muajsh u siguruan ushtarëve në Gaza lirinë e lëvizjes dhe se ata i rezistuan presionit të fortë ndërkombëtar për të ndaluar luftën përpara se të arrijnë qëllimet e tyre.
Duke theksuar se së fundmi ata janë përballur me një nismë të re të krijimit të njëanshëm të një shteti të pavarur palestinez që "do të rrezikojë ekzistencën e Izraelit", Netanyahu tha se do të paraqesin në Parlament vendimin e pranuar unanimisht nga qeveria kundër njohjes së njëanshme të shtetit palestinez në arenën ndërkombëtare.
Netanyahu theksoi se Izraeli do të ruajë kontrollin e tij mbi territoret e pushtuara dhe se "me ose pa një zgjidhje të përhershme, Izraeli do të vazhdojë të ruajë sigurinë dhe kontrollin në tokat në perëndim të lumit Jordan, përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor".
Ai u bëri thirrje të gjitha "partive sioniste" të votojnë në favor të këtij projektligji "kundër imponimit të bashkësisë ndërkombëtare të njohjes së njëanshme të shtetit palestinez". Netanyahu tha se kjo do t'i tregonte botës se ekziston konsensus në Izrael kundër përpjekjes për të krijuar një shtet palestinez.
Netanyahu tha se ai kishte penguar krijimin e një shteti palestinez për dekada.
Duke vënë në dukje se megjithëse brenda qeverisë kishte pikëpamje të ndryshme në lidhje me një zgjidhje të përhershme, ai tha se vendimi deklarativ në fjalë u mor unanimisht nga të gjithë anëtarët e qeverisë. "Ne të gjithë jemi dakord se Izraeli nuk duhet t'i dorëzohet diktaturës ndërkombëtare për një çështje kaq jetike", tha Netanyahu.
Në mbledhjen e përjavshme të kabinetit të dielën, më 18 shkurt, qeveria izraelite vendosi "kundër njohjes së njëanshme të shtetit palestinez nga komuniteti ndërkombëtar". Në tekstin e vendimit thuhet se "Izraeli kundërshton absolutisht që një zgjidhje e përhershme me palestinezët të arrihet përmes diktateve ndërkombëtare dhe nëse do të arrihet një zgjidhje, ajo duhet të jetë vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta ndërmjet palëve pa parakushte".
Thuhet se Izraeli do të vazhdojë të kundërshtojë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez, se njohja e shtetit palestinez do të ishte "shpërblim i jashtëzakonshëm dhe i paprecedentë" për sulmet kundër Izraelit më 7 tetor dhe se kjo do të "bllokonte rrugën për çdo marrëveshje paqeje" në të ardhmen.
Në fjalimin e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë fundjavës, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se krijimi i një shteti palestinez është i nevojshëm më shumë se kurrë dhe se Izraeli ka një mundësi të madhe për të vendosur paqen me Palestinën./aa