Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër fton turistët të njohin pasuritë arkeologjike të zonës, njëra prej të cilave është edhe Kalaja e Sebastes – Monument Kulture i Kategorisë I, që prej vitit 1963.

Ky fortifikim i periudhës së Antikitetit të Vonë, ngrihet mbi një kodër rreth 200 m të lartë nga ku kontrollohet e gjithë fusha e Laçit. Muret e rrethimit fortifikues të kështjellës së Sebastës bazuar në teknikën e ndërtimit dhe materiali arkeologjik zbuluar aty e datojnë kalanë si periudhë ndërtimi mes shek. IV-VI.

Edhe pse kalaja identifikohet me emrin “Sebasta”, arkeologët e lidhin me emrin e lashtë “Latium”, që ka lindur si pikë kontrolli e rrugës Dyrrahium-Lisuss-Scodrae. Në shekujt e parë të erës sonë jeta zbret në fushë, por ka një zhvendosje sërish në shek. IV-VI në relieve të larta si rezultat i inkursioneve dhe dyndjeve barbare në Ballkan, në këtë rast në kodrën e njohur të Shën Antonit.

Muret e rrethimit fortifikues të kështjellës së Sebastes, bazuar në teknikën e ndërtimit me gurë kuadratikë si dhe fragmentet e qeramikës me vernik të zi të gjetura brenda saj, e datojnë atë si fundi i shek. IV dhe fazë të dytë shek. VI.

Në kronikën e tij, Prokopi i Qezaresë shkruan se perandori bizantin Justiniani ndërtoi në Epirin e Ri 32 kala dhe rindërtoi 26 të tjera, me qëllim që të mbronte Epirin e Ri nga sulmet sllave.

At Donati shkruan:

“Âsht per t’u çuditë, se si Emz. Mark Skura nder rrelacjone Ndër kohët e hershme Sebastja ká kênë nji qytetzë me randësí në pikpamje strategjike. Germadhet e saja shifen edhe sot në nji maje jo fort të naltë kah verilindja e katundit Laç në Kurbî. Kalaja e Sebastes zotnon mbarë fushën deri në breg të detit. Ajo, pá dyshim ka kênë edhe në kohë të Rromakve; ketê e vertetojn edhe êmnat e shumtë latinisht, qi ruhen edhe sot rreth e rreth. Me qytetzen e Sebastes âsht e lidhun edhe gojëdhana e Shna Vlashit e 40 Martirve, si edhe historija e Kuvendit Françeskan në Sebaste e Kisha e vjeter, qi nderohet me titullin “Shêjtnorja e Shna Ndout”.

Lidhja historike me kishën e Shna Ndout dhe ndërthurja e rrallë natyrore mes këtyre dy monumenteve historike, religjioze dhe kulturore janë vlera të rëndësishme që karakterizojnë krahinën e Kurbinit./ata