Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje sot për pjesëmarrje në protestën e nesërme.
Në fjalën e mbajtur nga dritarja e shtëpisë së tij, ku po vuan masën e arrestit të shtëpisë, në tubimin e sotëm qytetar në “Rrugën e Shpresës”, Berisha tha se, protestuesit në 20 shkurt do të kenë në krah të vërtetën dhe bashkimin.
Berisha, deklaroi se çdo akuzë e opozitës dhe çdo denoncim në këto dy vite është faktuar.
Berisha gjithashtu i bëri thirrje Kongresit të SHBA-së, që të nisë hetimin për aferën e parkut kombëtar të Butrintit.
Berisha, në tubimin qytetar, ka folur edhe për aferën më të re korruptive që po i bëhet një tjetër pasurie të mbrojtur në vendin tonë, atij të parkut të Divjakës.
“Do të shkojmë të gjithë të bashkuar në protestën e 20 shkurtit”, tha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha, teksa bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme.
Gjatë fjalës në tubimin qytetar, Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që në protestën e nesërme të 20 shkurtit të shkojnë ballëlart dhe krenarë, pasi janë shpresa e vetme për Shqipërinë./ata