Në kuadër të rëndësisë së njohjes së autorëve shqiptarë, Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Vlorë, zhvilloi në Bibliotekën “Shevqet Musaraj” aktivitetin “Shprehur në vargje”, me tematikë “Tipologjia poetike e poetit vlonjat, Ali Asllani”. Në takim morën pjesë mësues e nxënës të shkollës “Lef Sallata”, të cilët referuan në formatin e bashkëbisedimit, rëndësinë e studimit të krijimtarisë së Ali Asllanit, si poeti, atdhetari dhe veprimtari i të gjitha kohërave.

Bashkëbisedimi u fokusua tek formësimi intelektual i Ali Asllanit, i cili identifikohet si një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit të 20-të.

Hapi i krijimtarisë së tij shkon nga poezia e mirëfilltë patriotiko-politike, te satirat e holla shoqërore e sidomos poezia lirike, e cila e afron Ali Asllanin me poetët e mëdhenj të Orientit.

Nxënësit e talentuar të shkollës “Lef Sallata” interpretuan poezi nga vepra poetike e Ali Asllanit, ku spikat fleksibiliteti i unit të tij poetik, gërshetuar me motivet patriotike, lirikën dhe satirën e hollë që përcjell mesazhe aktuale edhe sot./ata