Transfertat bankare po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt kanaleve elektronike.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 3.8 milionë transferta kreditimi (pagesa) të kryera nga klientët e sektorit bankar për tremujorin e dytë 2024, gati 61% e tyre ose rreth 2.3 milion veprime në total u kryen në formë jo-letër.Për të gjithë 6-mujorin 2024, pesha e veprimeve nga kanalet elektronike është rritur në 59% të totalit, ndërsa gjysmën e parë të vitit të kaluar ato përbënin rreth 56% të numrit të përgjithshëm të transfertave bankare.

Transfertat elektronike po fitojnë më shumë peshë edhe të matura në vlerë.

Rreth 39% e vlerës së përgjithshme të transfertave për 6-mujorin 2024 u krye nëpërmjet veprimeve të distancë, nga 34% e që kishte qenë pesha e tyre në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në në pothuajse 1.1 milion, në rritje vjetore me pothuajse 25%. Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022.

Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internet vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë./ata