Vila “Fidani” në Voskopojë ka hapur dyert prej një viti, si një pikë agroturistike që mirëpret vizitorë në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Edi Rama nda pamje nga kjo pikë agroturistike që është konceptuar për mikpritje të ngrohtë familjare dhe me vizionin për t’u zgjeruar me një kinema verore dhe aktivitete të tjera “outdoor”, ky investim është shembulli i mirë që nxit rritjen e netqëndrimeve të turistëve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bashkë me kryetarin e bashkisë Korçë, Sotiraq Filo vizituan nga afër këtë sipërmarrje familjare, që është shndërruar në një model të sektorit agroturistik në vendin tonë.

Voskopoja tashmë ka më shumë se një ditë e një natë për të parë e rrëfyer, tha ministrja, teksa inkurajoi sipërmarrësit e vilës “Fidani”, që jo vetëm po rrisin të ardhurat për familjen e tyre, por po nxisin edhe zhvillimin zinxhir të sektorëve të tjerë.

“Kjo është Vila “Fidani”, bujtinë. Ju si sipërmarrës veç agjencisë turistike, keni ndërtuar bujtinën. Pra është rritur turizmi në mënyrë të tillë që ju intereson që agjencisë t’i shtoni bujtinën tuaj. Është bujtinë me natyrë familjare. Ka dhe mjedis për fëmijët, pasi sipërmarrjet priren të kenë vetëm format për të rriturit”, tha Kumbaro.

“Një ndër ankesat është se shkojmë në këto mjedise dhe nuk dinë çfarë të bëjnë për fëmijët. Me vjen mirë që e keni menduar për këtë. Voskopoja është kthyer në një pol turizmi më vete”, vijoi Kumbaro.

Sotiraq Filo, kryetari i bashkisë së Korçës, tha se “Voskopoja është destinacion turistik shumë i rëndësishëm në bashkinë e Korçës, është një ndërthurje e turizmit kulturor, historik dhe malor. Kemi investuar në ristrukturimin e kalldrëmeve, monumenteve të kulturës etj. Shembulli fiks se si Rilindja Urbane nxiti privatin”, tha ai.

“Këtë vit me kontrata 55 grupe me nga 2-3 netë fjetje”, tha pronari i bujtinës.

“Ardhja në Voskopojë, çon njerëz në Korçë, Pogradec etj. Destinacionet i kemi të palidhura sa i takon itinerarit, jo rrugëve, duam të bëjmë paketa të plota me itinerare të mirëpërcaktuar dhe këtu agjencitë turistike kanë një rol të rëndësishëm”, vijoi Kumbaro.

“Dua ta bëj kinema verore, si amfiteatër”, bëri me dije më tej pronari i bujtinës.

“Kjo mund të bëhet pjesë e kalendarit turistik veror. Pasi vizitorët mund të njihen jo vetëm me aktivitetet që zhvillohen jo vetëm brenda në Korçë, por dhe në zonat përreth. Është e rëndësishme t’i fusim tek kalendari turistik veror të gjitha aktivitetet që realizohen”, tha Kumbaro.

Kumbaro tha se turizmi rrit konsumin, ndërsa shtoi se Shqipëria ka në fokus turizmin si prioritet. “E kemi të qartë që Shqipëria nuk do të bëjë industri të rëndë, e as kantiere të mëdha. Ky është investimi i duhur. E kemi ndarë që turizmin prioritet, dhe bujqësia duhet të jetë në funksion të turizmit, pasi bujqësia do të përgatitet për 2.8 milionë shqiptarë dhe  10 milionë turistë. Duhet të jemi gati 13-14 milionë vizitorë dhe banorë vendas që do të konsumojnë gjatë këtij viti”, nënvizoi Kumbaro./ata