Eksportet e mallrave arritën vlerën 29 miliardë lekë në janar të këtij viti, duke u ulur me 29.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 20.7 %, në krahasim me dhjetorin 2023.

Referuar raportit të publikuar nga Institutit i Statistikave (INSTAT), në uljen e eksporteve prej 29.2 %, kanë ndikuar negativisht grupet “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 19.5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me 5 pikë përqindje, dhe “materiale ndërtimi dhe metale” me 3.8 pikë përqindje, etj.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “produkte kimike dhe plastike” me 0.3 pikë përqindje dhe “ushqime, pije, duhan” me 0.1 pikë përqindje.

Të dhënat tregojnë se importet e mallrave arritën vlerën 60 miliardë lekë, duke u rritur me 3.4 %, në krahasim me një vit më pare dhe duke u ulur me 17.3 %, në krahasim me dhjetorin e 2023.

Në rritjen e importeve prej 3.4 %, krahasuar me janarin e 2023, pozitivisht kanë ndikuar grupet “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.7 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 2.9 pikë përqindje, “ushqim, pije, duhan” me 0.2 pikë përqindje, etj.

Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 3 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me 1 pikë përqindje, “lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 0.3 pikë përqindje, etj.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 30 miliardë lekë, duke u rritur me 88.6 %, krahasuar me janarin e vitit 2023 dhe ulur me 13.5 %, në krahasim me dhjetorin 2023.