Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe Grupi i Gjelbër në Kuvendin e Shqipërisë, zhvilluan sot një mbledhje të përbashkët, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, i cili prezantoi raportin vjetor 2023 të Sekretariatit, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria.
Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Arben Pëllumbi, u shpreh se Shqipëria si anëtare do të vijojë të bashkëpunojë dhe forcojë raportin me Sekretariatin e Komunitetit të Transportit, entitet i cili përbëhet nga 33 vende anëtare, 27 vende të Bashkimit Europian dhe 6 vende të Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu Pëllumbi foli për rëndësinë, arritjet dhe sfidat që kemi në lidhje me transportin në vendin tonë, si dhe detyrat e parlamentarëve në lidhje me këtë proces.
“Të dyja korridoret, Korridori 8 dhe ai Veri-Jug janë dy korridore në zemër të BE që përbëjnë një arritje dhe sfidë të madhe për ne. Kur të përfshihen në zemrën e transportit, do të thotë se janë korridore që nuk do të ngelen në aspekte dokumentare, por duhet në mënyrë të shpejtë të jenë të realizuara me standardet më të larta të BE. Ne si parlamentarë kemi detyrat tona në lidhje me këtë proces. Sfidat nuk janë të lehta, por ne nuk na mungon vullneti të përballemi me to”, u shpreh Pëllumbi.
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek, gjatë fjalës së tij u shpreh se qëllimi i kësaj organizate është integrimi i plotë i tregut të transportit në këtë rajon të Bashkimit Evropian.
“Rajoni duhet të ketë transport të organizuar në të njëjtën mënyrë si çdo gjë tjetër apo vend tjetër në BE. Duhet të kemi infrastrukturë të lidhur brenda vendit dhe më pas me fqinjët e tij dhe me hapësirën e transportit të Bashkimit Evropian”, u shpreh Zakonjsek.
Më tej, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Zakonjsek, nënvizoi se po ndihmohen vendet anëtare për të miratuar dhe implementuar të gjithë legjislacionin e BE sa i përket transportit. Po ashtu, ai theksoi se ndihmë po jepet edhe me projekte që lidhin vendet dhe korridoret kryesore me vendet fqinje dhe më tej me Bashkimin Europian.
“Duhet të kemi të njëjtat standarde të transportit rrugor dhe hekurudhor. Do ta ndihmojmë Shqipërinë në këtë rrugë. Duhet të ketë një progres në terren sa i përket projekteve dhe këto projekte duhet të lëvrohen sipas legjislacionit specifik, që në rastin e Shqipërisë është legjislacioni i Komunitetit të Transportit të Bashkimit Europian”, u shpreh Zakonjsek.
Sipas Zakonjsek aktualisht në Shqipëri është implementuar 40% e legjislacionit të BE ndërsa vuri theksin te progresi që po bëhet në rrjetin hekurudhor.
“Aktualisht 40 % e legjislacionit të BE është e transpozuar, 16 % është pjesërisht dhe 71 % është ende në proces. Shikojmë që kemi progres në rrjetin hekurudhor me punët që janë duke u vazhduar sidomos në Tiranë-Durrës. Përfundimi mund të jetë në pak vite. Projekti është i mbështetur nga BE financiarisht. Projekti i dytë Vorë-Hani i Hotit, 125 km, tenderi do lancohet në muajt që vijnë, dhe i fundit është Durrës-Rrogozhinë. Jemi në fazën e përgatitjes së projektit. Kur këto projekte do plotësohen, në vitin 2030, Shqipëria do të ketë një rrjet hekurudhor shumë të mirë, i gjithë i rinovuar, dhe këtu mirëmbajtja do jetë elementi kyç”, tha Zakonjsek./ata