Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Türkiye me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, ndërkohë mes dy vendeve u nënshkruan edhe disa marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.
Në deklaratën e përbashkët me presidentin Erdoğan, Rama u fokusua në çështjet e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, Spitalin Rajonal Memorial në Fier, situatën e fundit në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera.
Duke folur për në Spitalin Rajonal Memorial në Fier, i ndërtuar me mbështetjen financiare të shtetit turk, kryeministri Rama tha se sot spitali është një pikë referimi gjithmonë e më e dëshiruar për qytetarët shqiptarë në nevojë për kurim.
Rama shtoi se spitali në fjalë është njëkohësisht një pasqyrë e një bashkëpunimi që vazhdon me një skuadër të përbashkët mjekësh shqiptarë dhe turq, ashtu sikundër është sipas tij dhe pararoja e një transformimi të mëtejshëm të sistemit të shëndetësisë.
"Falë eksperiencës që është botërisht e njohur si një sukses i Türkiyes në transformimin e sistemit shëndetësor dhe që tek ne e përcjellin një grup menaxherësh të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë e Türkiyes, aty (në Spitalin Rajonal Memorial në Fier) ka nisur modeli i autonomisë spitalore që është një tjetër reformë e sistemit tonë shëndetësor", tha Rama.
"Na vjen jashtëzakonisht mirë që shohim progres siç e thatë dhe ju (presidenti Erdoğan) me angazhimin e Fondacionit Maarif në Shqipëri, por mezi presim që të materializohet edhe projekti që do të sjellë Universitetin Teknik të İstanbulit në Tiranë, një xhevahir i ekselencës turke në arsim", u shpreh kryeministri Rama.
Rama tha se kanë bërë progres dhe janë vullnet plotë për të bërë edhe me shumë progres në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe shtoi se investimet turke janë të mirëseardhura.
"Si gjithmonë e kam gjetur presidentin (Erdoğan) të interesuar me gjithë zemër për ecurinë e rajonit tonë, për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dëshirën e tij që progresi dhe paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta", tha ndër të tjera Rama.
Kryeministri i Shqipërisë shtoi se kanë ndarë me presidentin Erdoğan edhe opinionet mbi konfliktin në Ukrainë dhe shtoi se e ka informuar që në ditët e ardhshme në Tiranë së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të zhvillohet një samit i vendeve të Evropës Juglindore, ku edhe Türkiye është fituar.
Për situatën në Gaza, Rama tha: "Ndajmë dhimbjen dhe shqetësimin për atë që po ndodh në Gaza. Ne jemi të bindur që është koha për një armëpushim i cili duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar në këndvështrimin tonë nga një forcë e përbashkët e pesë vendeve të Lindjes së Mesme dhe Türkiyes. Për ne Türkiye është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë së bashku me pesë vendet e tjera, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë dhe Egjiptin"
Kryeministri Rama në fjalën e tij u fokusua edhe në mbështetjen e Türkiyes për Kosovën, tërmetin në Shqipëri në nëntorin e vitit 2019 dhe për pandeminë COVID-19./aa