Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh se “20 Shkurt 1991 është ngjarja që shënoi nisjen drejt lirisë pa hijen e diktatorit”.

Gonxhja, atëherë një prej studentëve organizator që u ngujuan për grevën e urisë solli në vëmendje se 33 vite më parë, në sallat e godinës së Kinoteatrit në Qytetin Studenti, u ngujua për Grevën e Urisë pas dy javësh proteste studentore e qytetare.

Ai ndau në rrjete sociale pamje nga greva e studentëve teksa shkroi se, “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Sot distanca me këtë ëndërr është shkurtuar ndjeshëm, madje progresi i Shqipërisë është edhe më i madh teksa vetë Europa është zhvilluar fuqishëm, nga ajo pikë starti jo e barabartë! Lëvizja Studentore aspiroi një ritëm më të lartë ndryshimi, një tranzicion më demokratik dhe larg mendësisë së vjetër moniste, ndaj pas Dhjetorit 1990, në Janar e Shkurt 1991 u bashkuam për një tjetër betejë, atë të rrëzimit të kultit të Enver Hoxhës dhe nxjerrjes së opozitës së parë nga hijet e busteve të diktatorit”.

Fatkeqësisht, vijoi Gonxhja, zëri i rinisë, sakrificat e studentëve dhe as vërshimi popullor i 20 Shkurtit 1991 nuk mjaftuan që të niste katarsisi shoqëror aq jetik për themelet e sistemit të ri ku do hynim dhe të cilin as sot e kësaj dite nuk e kemi çliruar plotësisht nga sjelljet dhe fantazmat e së shkuarës sonë antidemokratike./ata