Prej tri ditësh besimtarët myslimanë në gjithë vendin kremtojnë Muajin e Shenjtë të Ramazanit, i cili zgjat deri më 9 prill, ndërsa në 10 prill besimtarët myslimanë festojnë Fiter Bajramin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga qyteti i Durrësit që është zbukuruar me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Këto zbukurime i kanë dhënë qytetit bregdetar një pamje magjike dhe të paqtë, e cila duket dhe si një shenjë nderimi për besimtarët myslimanë dhe sakrificën e tyre gjatë këtij muaji, siç është agjërimi.

Fillimi i muajit të agjërimit përcaktohet në bazë të lëvizjes së Hënës, e cila për të gjithë myslimanët në çdo cep të botës përcjell drejtësi, apo një harmonizim për ta kryer sa më të plotë këtë muaj të begatë.

Përveç vlerave shpirtërore e morale, agjërimi ka gjithashtu edhe një vlerë shoqërore shumë të madhe, atë të bashkimit të njerëzve mes tyre dhe kontributit për ata që janë në nevojë./ata