Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta mori pjesë të martën në Forumin e Tretë Botëror për Kulturën e Paqes së Drejtë, të mbajtur në Kajro, Egjipt.

Gjatë fjalës së tij, Meta tha se Egjipti ka një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, ndërsa shtoi se zgjidhja mund të jetë duke njohur dy shtetet.

“Fatkeqësisht, ne po jetojmë sot në një botë plot konflikte, luftëra, padrejtësi dhe pabarazi. Situatat dramatike që po shohim në Ukrainë dhe Gaza janë shembuj se sa e brishtë mund të jetë paqja. Kjo është një kohë dramatike jo vetëm për Ukrainën dhe Gazën, por për të gjithë botën”, u shpreh ai.

“Një pjesë e arritjes në një paqe të drejtë përfshin njohjen e një ekzistence të përbashkët dhe historisë së përbashkët edhe nëse kjo qasje nxjerr në pah dallime serioze. Nga kjo qasje, një zgjidhje me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët është ajo që mund të trajtojë të kaluarën dhe të ardhmen e këtyre kombeve. Vlerësoj në veçanti përpjekjet e Egjiptit për t’i dhënë fund këtij brutaliteti dhe për t’i shtyrë të dyja palët për dialog dhe zgjidhje, sepse jo vetëm e ardhmja e këtij rajoni është në rrezik, por vazhdimi i tij kërcënon paqen dhe sigurinë më gjerë”, tha Meta.

Më tej, Kreu i Partisë së Lirisë u shpreh se “në ditët e sotme jemi dëshmitarë të rritjes së tensioneve globale mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, gjë që vështirëson organizimin e operacioneve të OKB-së. Ka edhe një rikthim në konfliktet ndërkombëtare me dy shtete që luftojnë njëri-tjetrin, gjë që është mjaft shqetësuese për paqen ndërkombëtare”.

Ai shtoi se rreziku për shtimin e konflikteve është i madh.

“Goditjet ekonomike, ngjarjet ekstreme të motit dhe konfliktet si lufta në Ukrainë kanë kufizuar furnizimet globale të ushqimit, kanë rritur çmimet dhe kanë paraqitur një kërcënim për popullatat dhe vendet e cenueshme. E ardhmja duket e zymtë. Vlerësohet se ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit do të rrisin çmimet e ushqimeve me 20% për miliarda njerëz me të ardhura të ulëta, gjë që si pasojë do të krijojë më shumë paqëndrueshmëri dhe pasiguri, jo vetëm brenda këtyre vendeve, por edhe për pjesën tjetër të botës”, vijoi ai.

Kreu i Partisë së Lirisë tha se “nuk ka dyshim se paqja është një nga shtyllat kryesore të Agjendës së Kombeve të Bashkuara 2030. Kjo Axhendë thotë se pa zhvillim të qëndrueshëm nuk mund të ketë paqe dhe pa paqe nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm.Të dhënat tregojnë se paqja është në fund të fundit “një përcaktues kyç” për të gjitha kërcënimet dhe sfidat e adresuara nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), “nga sëmundjet kronike te varfëria e fëmijëve te degradimi i mjedisit”.

Sipas tij, vetëm paqja ka një implikim të fortë për zhvillimin shoqëror dhe se kultura luan një rol kryesor në promovimin e paqes së drejtë duke nxitur mirëkuptimin, ndjeshmërinë dhe respektin e ndërsjellë midis komuniteteve të ndryshme./ata