Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani është nisur sot drejt Indisë ku do të zhvillojë një vizitë pune 3-ditore.
Sipas njoftimit për media të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, bëhet me dije se, “Ministri Hasani do të marrë pjesë në edicionin të 9-të të “Raisina Dialogue”, si dhe do të zhvillojë takime dypalëshe e shumëpalëshe, i ftuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë”.
“Gjatë kësaj vizite, ministri Hasani do të takohet me kryeministrin Arvind Kejriwal, ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, dr. S. Jaishankar, drejtues të kompanive më të mëdha indiane në fushën e teknologjisë, shëndetësisë, arsimit etj.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, “vizita e ministrit Hasani në Indi është tregues i marrëdhënieve miqësore mes Shqipërisë dhe Indisë, dhe synon të çojë përpara këtë miqësi tradicionale mes dy vendeve të bazuar në të njëjtat vlera, në kontekstin e ri historik”.
“Gjithashtu synohet zgjerimi i marrëdhënieve me Indinë në zhvillimin e projekteve strategjike në infrastrukturë, energji, inovacionin, farmaceutikë, softuer, turizëm dhe sektorë të tjerë”, thuhet në njoftim.
“India është një partner tregtar i rëndësishëm i Shqipërisë, furnizuesi i katërt më i madh gjatë viteve të fundit për tregun shqiptar. Gjatë vitit 2023 norma e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve arriti 24.9 % më shumë se një vit më parë”, përfundon njoftimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme./ata