Akademia e Shkencave të Shqipërisë njoftoi se është konstituuar bordi i drejtorëve të instituteve të albanologjisë, njësi të reja të përhershme pranë Akademisë së Shkencave. Në një mbledhje të thirrur, e drejtuar prej akad. Skënder Gjinushit, bordi u njoh me detyrat dhe përgjegjësitë sipas Statutit të ASHSH, e më pas u kalua në shqyrtimin e çështjeve të rendit të ditës.
Sipas procedurës së parashikuar, raporti vjetor është diskutuar e vlerësuar me shkrim nga komisionet e përhershme të fushave gjegjëse: arkeologji, histori, gjuhësi, antropologji. Këto vlerësime bordit të drejtorëve ua bëri të njohur akad. Gjinushi, duke ftuar të pranishmit në diskutim.
Kryetari Gjinushi bëri të njohur përmbledhtas programin e vitit 2024, qendërzuar në pjesën për institutet e albanologjisë: konferenca, projekte, botime dhe bashkëpunime. Drejtuesit e njësive: akad. Adem Bunguri, prof. dr. Hamit Kaba, akad. Valter Memisha, prof. asoc. Olsi Lelaj dhe akad. Stefan Çapaliku propozuan saktësime e plotësime.
Në vijim bordi i drejtorëve bëri të njohura nevojat për buxhet për të ushtruar veprimtarinë gjatë vitit dhe pas shqyrtimit të imët të tyre u vendos ndarja e burimeve financiare duke respektuar përparësitë e secilit institut apo qendër. Konferencat shkencore do të mbulohen me buxhetin e ASHSH. Njëherësh u diskutua për të gjetur zgjidhje të arsyeshme për detyrimet e trashëguara prej tyre.
Bordi u njoh me shenjat e njësuara të identifikimit zyrtar: logo, vula, intestime të shkresave. Këto do të jenë në përdorim brenda një periudhe shumë të shkurtër.
Akad. Gjinushi foli në vijim për ndryshimet në rregulloren e brendshme të administratës dhe të shërbimeve administrative të ASHSH, në të cilën janë bërë shtesa për statusin e punonjësve kërkimorë-shkencorë, tekniko-shkencorë dhe ndihmës tekniko-shkencorë; për mënyrën e ngritjes së komisioneve të pranimit dhe të zhvillimit të konkurseve etj. Disa ndryshime mund të shtjellohen në akte të veçanta në të ardhmen./ata