Arsimi dhe formimi profesional prodhon forcën punëtore të së nesërmes dhe, për rrjedhojë, luan një rol kyç në rritjen ekonomike, në gjenerimin e punësimit dhe në stabilitetin social.
Promovimi i arsimit dhe formimit profesional, si zgjedhja më e mirë për të rinjtë dhe si rruga më e sigurt dhe e shpejtë e integrimit të tyre në tregun e punës, vijon të mbetet një nga prioritetet e qeverisë, i konkretizuar me përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve në shkollat profesionale të vendit.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli sot në vëmendjen e të rinjve Shkollën Profesionale Shërbime në Korçë.
“Me drejtimet në bujqësi dhe veterinari, shkolla u mundëson të rinjve nga Korça, Maliqi, Devolli, Pogradeci, Erseka dhe qytete të tjera të fitojnë njohuri teorike dhe aftësi praktike duke ndikuar në zhvillimin e mëtejshëm të kulturave bujqësore dhe blegtorisë që mbarështohet në këto zona”, theksoi ai.
Ministri përcolli edhe rastin e Markelit, një ndër të rinjtë që ka zgjedhur drejtimin e veterinarisë, njohuritë e së cilës po i aplikon në biznesin e familjes.
Shkolla Profesionale Shërbime ofron edhe drejtimet Hoteleri-Turizëm, Ekonomi-Biznes, dhe Dizajn-Modë.
Të rinjtë kanë mundësi të regjistrohen për të ndjekur drejtime të ndryshme në arsimin profesional deri më 30 shtator.
Në shtator të këtij viti do të nisë pilotimi i sistemit dual në arsimin profesional.
Sistemi dual parashikon që një pjesë të madhe të formimit të tij ta mbështesë te praktika. Nxënësi do të bëjë praktikën 3 ditë në ambientet e punës, në një biznes dhe dhe 2ditë në shkollë.
5 profilet që do pilotohen në klasën e 12 nga shtatori i këtij viti janë kuzhina, multimedia, recepsioni, shërbimi elektroauto dhe instalimet në tensionin e ulët./ata