everia ndryshon ligjin “Për prefektin”, duke forcuar rolin e këtij institucioni, në funksion të sigurisë publike.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në deklaratën për mediet pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, bëri të ditur se prefekti do të ketë një rol më të rëndësishëm sa i takon sigurisë publike.

“Prefekti është një institucion tejet i rëndësishëm dhe përfaqëson Këshillin e Ministrave në nivel vendor dhe në këtë kuadër na duhet ta ngremë rolin e prefektit në pritshmërinë e kësaj qeverie për një rol sa më të rëndësishëm, jo vetëm koordinues, por dhe një rol udhëheqës sa i takon strategjive tona në nivel vendor”, tha Balla.

“Prefekti është drejtuesi i taskforcave që zhvillojmë në kuadër të proceseve tona qeverisëse në nivel vendor. Gjithashtu dua të ndaj me ju se po krijojmë edhe këshillat vendore të sigurisë publike për të koordinuar sa më mirë agjencitë ligjzbatuese që lidhen me sigurinë publike në çdo komunitet. Përgjatë zbatimit të paketë sigurisë në shkolla u kemi besuar prefektëve rolin drejtues në këtë proces, na ka rezultuar se është një rol efikas”, tha Balla.

“Por, gjithashtu kemi identifikuar edhe disa ndryshime, që do të do të thoja nevojën e rregullimit dhe të përcaktimit më qartë të vendimeve të këshillave bashkiakë, apo të akteve të tjera të njësive të qeverisë vendore, që kalojnë përmes filtrit ligjor të prefektit. Për ta reduktuar këtë numër, në mënyrë që të lehtësojmë procesin e qeverisjes vendore. Por, pa harruar asnjëherë rolin shumë të rëndësishëm që ka prefekti në këtë kontroll”, u shpreh Balla.

“Kujtojmë që është një ndryshim në ligj, ku do të kemi mundësi që gjatë diskutimit në kuvend, bashkë me deputetët por dhe me përfaqësues të tjerë të diskutojmë më gjerë këtë nismë ligjore. Dua të informoj publikun se kemi marrë si referencë eksperiencat më të mira të rolit të prefektit, modeli Francez, Italianë, apo Rumunë, dhe besoj që pas miratimit të këtij ligji, do të kemi një institucion Prefekti shumë më efektivë në procesin e ndërlidhjes mes qeverisë qendrore, qeverisë vendore dhe mbi të gjitha të organizimit më të mirë të punës në nivel vendor të agjencive ligjzbatuese shtetërore”, tha Balla.

Ai tha se është një lajm i rremë ai që prefekti merr të drejtën për të shkarkuar kryetarin e bashkisë. “Ka qenë një informacion i rremë për këtë qasje. Kini parasysh që qeveria ka të drejtën e rasteve të propozimit të shkarkimit. Në ligjin për qeverisjen vendore sqarohet qartë se si realizohet ky proces dhe vendimin përfundimtar e jep Gjykata Kushtetuesja, pra s’është e vërtetë”, tha Balla.

po ashtu, Balla mohoi konfliktin e kompetencave mes Bashkisë dhe Prefektit.

“S’ka asnjë përplasje të kompetencave të kryetarit të bashkisë me prefektin. Ajo që ka më shumë rëndësi për mua është roli i prefektit është drejtimi i këshillit vendor të sigurisë publike, i cili bën bashkë të gjitha agjencitë për të garantuar sa më shumë siguri publike në çdo komunitet. Unë ju thashë, nga zbatimi i paketës së sigurisë në shkolla në territor, kemi kuptuar se sa e rëndësishme është koordinimi mes të gjitha agjencive ligjzbatuese në funksion të rritjes së cilësisë, së sigurisë publike. Besoj që kemi qenë të qartë dhe mbetemi të qartë me publikun, Shqipëria kampione e Ballkanit jo vetëm në turizëm, por edhe në çdo fushë tjetër, përfshirë këtu dhe sigurinë publike. Nuk është më një ëndërrr, por një realitet, për të cilën punojmë ta realizojmë çdo ditë”, deklaroi Balla në fjalën e tij./ata