ryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se amnistia penale është kthyer në një akt tërësisht jotransparent.

Në një prononcim për mediet, Bardhi tha se “në parim amnistia është një akt humanizmi i Kuvendit që duhet të qëndrojë larg sherrnajave politike”. Por, sipas tij, në këtë rast nuk ka pasur një draft konsensual.

Bardhi reagoi edhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen për migrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ai shprehu keqardhjen e thellë që “Gjykata Kushtetuese nuk u ngrit në lartësinë e interesit të opinionit publik, mbi të gjitha për të kërkuar një opinion të pavarur të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Dua ta konsideroj këtë si një akt të tradhtisë kombëtare. Vendimi 5 me 4 i Gjykatës Kushtetuese ishte një goditje në raport me garancitë që ky institucion duhet të japë sa i përket respektimit të Kushtetutës”, tha ai.

Bardhi rikonfirmoi vendimin e grupit të PD për të vijuar aksionin në Parlament deri në përmbushjen e kërkesave legjitime të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe për të çuar para reformën zgjedhore.

Ai shprehu po ashtu shqetësimin për një tentativë të mazhorancës për të ngritur nënkomisionin për auditim parlamentar që sipas tij, “synon të marrë nën kontroll Kontrollin e Lartë të Shtetit. I bëj thirrje mazhorancës të heqë dorë nga kjo tentativë e kontrollit të çdo institucioni të pavarur kushtetues”./ata