Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mbërriti në Nju-Delhi, Indi, për të marrë pjesë në edicionin e 9-të të “Raisina Dialogue”, një ndër konferencat më kryesore të Indisë, mbi gjeopolitikën dhe ekonominë.
Në një postim në rrjetet sociale, Hasani tha se “do të kem disa takime me homologët dhe ekspertët më të njohur globalë, për të diskutuar mundësitë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe partneriteteve dypalëshe në sektorë të ndryshëm”.
Ministri Hasani falënderoi dr. Subrahmanyam Jaishankar për ftesën dhe mikpritjen.
Hasani do të zhvillojë një vizitë pune 3-ditore. Gjatë kësaj vizite, ministri Hasani do të takohet me kryeministrin Arvind Kejriwal, ministrin e Punëve të Jashtme të Indisë, dr. S. Jaishankar, drejtues të kompanive më të mëdha indiane në fushën e teknologjisë, shëndetësisë, arsimit etj.
India është një partner tregtar i rëndësishëm i Shqipërisë, furnizuesi i katërt më i madh gjatë viteve të fundit për tregun shqiptar. Gjatë vitit 2023 norma e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve arriti 24.9 % më shumë se një vit më parë./ata