Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja qartësoi sot opinionin publik lidhur me projektligjin për “Amnistinë penale”, që u miratua dje në komisionin e Ligjeve.
Në një deklaratë për medie pas mbledhjes së qeverisë, Manja u shpreh se projektligji për amnistinë do t’i drejtohet seancës plenare për të marrë 84 vota, shumicë të cilësuar.
Manja falënderoi fillimisht gjithë deputetët e komisionit të Ligjeve për kompetencën dhe ekspertizën me të cilën e shqyrtuan dhe miratuan nen për nen dhe në tërësi projektligjin për amnistinë.
Ai sqaroi se projektligji ka dy komponentë, ka amnisti nga dënimi dhe amnisti nga ndjekja penale.
Duke u ndalur tek amnistia për ndjekjen penale, Manja sqaroi se flitet për lëndë dhe çështje që aktualisht janë në duart e prokurorisë ose janë ende pa u gjykuar nga sistemi i drejtësisë.
“Nuk ka amnisti mbi ndjekjen penale për asnjë nga veprat që po hetohen dhe gjykohen në Gjykatën Speciale. Duhet të jetë tërësisht e qartë, amnisti mbi ndjekjen penale ka për të gjitha veprat penale që aktualisht janë në duart e prokurorisë apo të sistemit gjyqësor dhe që dënohen deri në 2 vjet dënim, pra kundërvajtje penale. Por edhe sa u takon kundërvajtjeve penale, ka përjashtime. Nuk do të amnistohen nga ndjekja penale pavarësisht se janë kundërvajtje veprat penale që kanë të bëjnë me nderin dhe dinjitetin e individit apo dhunë në familje e me bazë gjinore”, tha Manja.
Ndërsa duke folur për amnistinë mbi dënimin, Manja u shpreh se ajo ka disa parime mbi të cilat bazohet dhe ndër parimet kryesore që ka amnistia është parimi i humanizmit, parimi i arritjes së qëllimit të dënimit, parimi i mbrojtjes së interesit publik, por edhe parimi i eficiencës së sistemit të drejtësisë.
“Kur flasim mbi amnisti mbi dënimin ka dy kategori të dënuarish, një kategori që përfitojnë nga amnistia dhe një kategori të dënuarish që nuk përfitojnë nga amnistia. Por në këtë projektligj amnistie, kategoria e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia mbi dënimin për shkak të disa kufizimeve që ka mbi vlerat penale për të cilat ata janë dënuar nga drejtësia, ne kemi ndjekur parimin e të gjitha amnistive që u zbresin ulje dënimi, pra 1 vit nga dënimi të gjithë të dënuarve burra dhe 1 vit e gjysmë të gjitha të dënuarave gra dhe të miturve”, tha ai.
Manja nënvizoi se ky ka qenë drafti që qeveria ka adresuar në komisionin e Ligjeve.
“Por në komisionin e Ligjeve ka pasur amendamente nga shumë deputetë dhe një nga propozimet që ka pasur ka qenë që në kategoritë e të dënuarve që nuk përfitojnë nga amnistia por përfitojnë ulje dënimi, të përfshihen edhe kategoria e të dënuarve nga Gjykata e Posaçme me vendim të formës së prerë”, tha ai.
Manja theksoi se argumenti i deputetëve në komisionin e Ligjeve ka qenë që nëpërmjet këtij rregulli të përgjithshëm dhe këtij parimi kushtetues të sigurohet barazia para ligjit.
“Sepse i dënuari për të njëjtën vepër, me të njëjtën masë dënimi nga gjykata e juridiksionit të përgjithshëm i ulet një vit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë dhe të miturit dhe i dënuari për të njëjtën vepër, me të njëjtën masë dënimi nuk përfiton nga ulja e dënimit thjesht dhe vetëm se është dënuar nga Gjykata e Posaçme. Por amnistia është mbi dënimin dhe veprat dhe nuk lidhet me kompetencën e gjykatës me të cilën është dënuar personi”, u shpreh ai.
Megjithatë, Manja theksoi se “në variantin e qeverisë ne e kishim përjashtuar këtë kategori të dënuarish nga ulja e dënimit”.
“Por ekspertiza e komisionit të Ligjeve që kujdeset edhe për të siguruar parimet e tjera kushtetuese që lidhen me amnistinë, dhe ku parimi i barazisë ndaj ligjit është parim themelor kushtetues, ne dhamë dakordësinë për këtë amendament. Por kjo nuk do të thotë se ne jemi refraktarë në këtë drejtim, sepse qëllimi jonë ka qenë shumë i qartë me draftin që kemi çuar në komisionin e Ligjeve”, u shpreh ai.
Manja tha se nuk ka amnisti nga ndjekja penale për asnjë nga çështjet dhe lënda që është sot në duart e prokurorisë së posaçme dhe prokurorisë së përgjithshme me përjashtim të disa veprave të lehta që janë kundërvajtje penale.
“Nga dje ka pasur një konfuzion të opinionit publik, por edhe të mesazheve jo të duhura që janë përcjellë në lidhje me projektligjin e amnistisë. Kemi qëndruar në të njëjtën linjë me parimet e kësaj amnistie, parimi i humanizmit dhe kur dënimi e ka arritur qëllimin, që një kategori personash që nuk do të përfitojnë plotësisht nga amnistia të marrin ulje dënimi”, tha ai.
Manja theksoi se është i rëndësishëm neni i Kushtetutës që garanton barazinë para ligjit.
“Nëse ne kemi parashikuar ulje dënimi me 1 vit për burrat që kanë kryer vepra të rënda, nuk ka se si të mos ja garantojmë këtë rregull të përgjithshëm edhe të dënuarve të tjerë që janë dënuar për vepra shumë më të lehta por që thjesht dhe vetëm janë dënuar nga Gjykata e Posaçme. Gjithsesi varianti jonë nuk e ka pasur këtë amendament, por komisioni i Ligjeve është komision ekspertize dhe ne si Ministri e Drejtësisë kemi qenë dakord me këtë amendament, por jemi të hapur për këtë. Sepse vullneti i qeverisë është shprehur me nismën që kemi dorëzuar në komision. Por mos harroni, amnistia nuk është akt i qeverisë është akt i sovranit, e thotë Kuvendi në fund fjalën për këtë amnisti nëse do t’ua japë këtë të drejtë ua jep, nëse jo nuk ua jep”, tha Manja./ata