Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali deklaroi sot se, “hapja e grup-kapitujve themelorë të negociatave është moment historik, hap i madh përpara drejt realizimit të ëndrrës rilindase naimiane se për ne, shqiptarët, dielli lind nga perëndon”.

Në nisjes të seancës plenare, Spiropali dha një mesazh për hapjen e grup-kapitujve themelorë të negociatave.

“Siç tashmë e dimë, në datën 15 tetor, në Luksemburg, u mbajt Konferenca e Dytë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, për çeljen e negociatave për grup-kapitujt “Themeloret””, u shpreh ajo.

“Është një gur themeli në rrugëtimin tonë drejt ribashkimit me Evropën, të cilës i përkasim gjenetikisht, gjeografikisht, historikisht, kulturalisht, me rrënjë, me frymë, me perspektivë e vizion”, theksoi Kryeparlamentarja.

Spiropali nënvizoi se, 15 tetori kurorëzoi përpjekjet e mëdha të deritanishme të Shqipërisë drejt Evropës, arritjet tona të dukshme dhe të padiskutueshme në progresin e reformave demokratizuese dhe integruese, të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, luftës kundër krimit, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.

“Ne kemi dëshmuar me vepra, me reforma, se kemi vetëm një plan A drejt të ardhmes sonë, drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm kështu përmbushim aspiratën e të gjithë shqiptarëve, të cilët si asnjë popull tjetër në Ballkanin Perëndimor, na mbështesin, nxisin e frymëzojnë në udhën drejt familjes evropiane”, tha Spiropali.

“Grup-kapitujt “Themeloret”, për të cilat u çelën negociatat, përfshijnë çështjet e mëposhtme: Funksionimi i institucioneve demokratike, Reforma në administratën publike. Gjyqësori dhe të drejtat themelore. Drejtësia, liria dhe siguria. Kriteret ekonomike. Prokurimi publik. Statistikat. Kontrolli financiar”, bëri të ditur ajo.

Nga sot, shtoi Spiropali, “punët tona shtohen, përgjegjësitë tona rriten, detyrat tona shumëfishohen”.

“Jam e bindur se shpreh edhe mendimin tuaj se të gjithë ne, do të vijojmë të jemi të angazhuar për përmbushjen e misionit të Kuvendit si udhëheqës i procesit të integrimit evropian, si garantues i legjitimitetit demokratik dhe karakterit gjithëpërfshirës të procesit”, iu drejtua Spiropali deputetëve të Kuvendit.

Spiropali gjithashtu vlerësoi kontributin e deritanishëm të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Komisionit për Çështjet Evropiane, të komisioneve të përhershme, të komisioneve të posaçme dhe të të gjithëve deputetëve, Spiropali i siguroi ata për mbështetjen e saj të pakursyer dhe angazhimin maksimal, drejt përmbushjes së këtij prioriteti strategjik kombëtar, i cili është njëkohësisht prioriteti numër një i Kuvendit të Shqipërisë.

“Pavarësisht partive apo ideologjive, Evropa është ëndrra dhe destinacioni ynë i përbashkët. Prandaj, në këto ditë të shënuara për të gjithë ne, gjej rastin t’u bëj thirrje kolegëve opozitarë, që duke i respektuar bindjet e tyre politike, orientimin dhe vlerat perëndimore, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, si dhe në emër të Shqipërisë evropiane, të bëhemi të gjithë bashkë për përshpejtimin e realizimit të ëndrrës së shqiptarëve, Bashkimit Evropian, këtij realiteti ndër më të bukurit dhe më të dobishmit e njerëzimit dhe qytetërimit bashkëkohor”, u shpreh Spiropali./ata