Akad.asoc. Besnik Baraj paraqiti sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë një studim lidhur me korrelacionin e ndotjes së ajrit dhe COVID-19 dhe situatën në Tiranë.

Në takim, morën pjesë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, anëtarë të Kryesisë së ASH dhe të komisioneve të përhershme dhe të njësive të qendrave të kërkim-studimit.

Gjatë kësaj ligjërate akad. asoc. Baraj vuri në dukje se që nga rastet e shfaqjes së pandemisë AIDS në vitin 1981 e deri më sot me shfaqjen e pandemisë më të fundit COVID-19 janë shkaktuar mbi 35 milionë viktima.

“Përgjatë 2500 vjetëve historia ka njohur më shumë se 20 epidemi dhe pandemi, porse izolimi nga COVID-19 ishte shokues dhe unik në historinë e njerëzimit. Ai pati ndikim të thellë në psikikën, kulturën, ekonominë, sistemin shëndetësor dhe aspektin social të njerëzimit” theksoi ai.

Baraj iu referua më tej studimit të përhapjes së kësaj pandemie që nga 17 nëntori 2019, kur në Kinë u raportua infektimi i parë me SARS-COV-2 dhe në mesin e marsit 2020, kur infektimi u përhap në 163 vende të botës. Ai theksoi se format e rënda të shfaqura në zonat industriale ngritën pyetjen lidhur me rolin e ndotjes së ajrit në përhapjen e COVID-19 dhe vdekshmërisë prej tij.

Më tej, akad. Baraj paraqiti studimet e bëra për ndotjen e ajrit.

Ai argumentoi se grimcat e imta në ajër mund të qëndrojnë pezull për një kohë të gjatë, të shpërndahen në distanca të mëdha dhe të penetrojnë në thellësi të mushkërisë. Edhe më përpara, virozat e SARS-CoV-1, kanë demonstruar lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe shkallës së agresivitetit të virusit.

Sipas tij, pikërisht shfaqja e rëndë në zonat industriale dhe të ndotura ka ngritur shqetësimin lidhur me rolin e cilësisë së ajrit urban. Në nivel global vdekjet janë mesatarisht 15 për qind më të larta në vendet me cilësi të ulët të ajrit. Në Azi (Kinë, Indi) kjo vlerë është 27 për qind.

Akad. asoc. Bare iu referua në veçanti edhe studimeve të COVID-19 në Shqipëri.

“Në Shqipëri, nga Covid-19 janë raportuar 3497 vdekje deri në fund të Majit 2022. Gjatë 2020-ës dhe 2021-shit, numri i vdekjeve kalon vlerën mesatare vjetore me 14130. Kjo vlerë rritet po të shtojmë vdekjet janar- maj 2022 nga COVID-19” tha ai, teksa vuri theksin në disa problematika specifike.

Bare tha se, ekziston një lidhje e ngushte midis ndotjes së ajrit, përhapjes së virozave dhe vdekshmërisë.

Sipas tij, merr rëndësi forcimi dhe zbatimi i legjislacionit për cilësinë e ajrit; pastrimi i qyteteve duhet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore si teknologji; kërkimi shkencor duhet mbështetur thelbësisht, ndërsa cilësia e transportit publik duhet përmirësuar duke demotivuar përdorimin e makinave në qytet.

“Informimi në kohë reale i publikut faktor shumë i rëndësishëm për t’u korrigjuar. Bazuar në përvojën e Covid-19 sistemi shëndetësor duhet reformuar”, theksoi Bare./ata