Shefja e Shërbimit Suedez të Sigurisë, Charlotte von Essen tha se dëshirojnë të parandalojnë aktivitetet e organizatës terroriste PKK, e cila përdor Suedinë si bazë dhe se janë duke marrë masa në këtë drejtim.
Von Essen në deklaratën e saj për Anadolu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet tjera kur bëhet fjalë për terrorizmin.
Ajo tha se në ditën e fundit kanë marrë masa të rrepta në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe se në kuadër të kësaj kanë bashkëpunim të mirë me Türkiyen. "Në vlerësimin tonë për këtë vit, PKK do të vazhdojë të klasifikohet si organizatë terroriste. Jemi duke marrë një sërë masash për të ngushtuar shtrirjen e organizatës terroriste. Ne dëshirojmë të reduktojmë dhe parandalojmë aktivitetet e aktorëve të ndryshëm të PKK-së, të cilët e përdorin Suedinë si bazë", potencoi Von Essen.
"Rusia, Kina dhe Irani janë kërcënim për Suedinë"
Sipas saj, Rusia, Kina dhe Irani janë shtete që përbëjnë kërcënim për sigurinë e Suedisë. "Aktivitetet e inteligjencës me origjinë nga këto vende përbëjnë kërcënim të madh për sigurinë e Suedisë", u shpreh Von Essen.
Von Essen rikujtoi se më 17 gusht 2023 niveli i kërcënimit kombëtar i terrorizmit në vend është rritur prej 3 në 4. "Jemi duke ndjekur pandalë për të zvogëluar nivelin e kërcënimit nga terrorizmi. Alarmi për terrorizëm do të mbetet për një kohë në nivelin më të lartë 4 nga gjithsej 5", tha ajo.
"PKK do të vazhdojë të përdorë Evropën dhe Suedinë si bazë"
Qendra Kombëtare për Vlerësimin e Kërcënimit Terrorist (NCT) e krijuar nga Shërbimi Suedez i Sigurisë, Shërbimi Suedez Ushtarak dhe i Sigurisë (MUST) dhe Institucioni Suedez i Radios së Mbrojtjes Kombëtare (FRA), më 13 shkurt shpallën raportin ku potencohet kërcënimi terrorist ndaj Suedisë për vitet 2023-2024
Në raport janë cekur edhe aktivitetet e organizatës terroriste PKK.
"PKK, e cila ka një fond të rregullt monetar në Evropë dhe me siguri mbledh miliona krona (valuta suedeze) çdo vit, do të vazhdojë të ndikojë në politikë përmes rrjeteve të mbështetësve të saj në Evropë dhe duke përdorur mundësitë ndërkombëtare përmes lobimit politik. PKK do të vazhdojë të përdorë Evropën dhe Suedinë si bazë për aktivitetet terroriste të saj në Türkiye. PKK me siguri do të vazhdojë aktivitetet e saj në vitin 2024 për të krijuar imazh pozitiv në Suedi dhe për të rekrutuar anëtarë për organizatën", thuhet në raport./aa