Armenia ka pezulluar pjesëmarrjen e saj në aleancën ushtarake rajonale të udhëhequr nga Rusia, njoftoi kryeministri i vendit.

"Sot, praktikisht, kemi ngrirë pjesëmarrjen tonë në këtë traktat, në këtë organizatë. Sa për atë që do të vijë më pas, do të shohim", tha Nikol Pashinyan në një intervistë për televizionin francez "France24".

Pashinyan tha se aleanca, Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, e cila përbëhet nga gjashtë shtete post-sovjetike, nuk ka arritur të përmbushë objektivat e saj "për sa i përket Armenisë, veçanërisht në 2021 dhe 2022. Dhe ne nuk mund ta lejonim këtë të ndodhë pa e vërejtur".

Anëtarë të tjerë ish-sovjetikë të aleancës janë Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani dhe Taxhikistani.

Azerbajxhani çliroi pjesën më të madhe të rajonit të Karabakut gjatë luftës në vjeshtën e vitit 2020, e cila përfundoi me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, duke hapur derën e normalizimit.

Ushtria armene në vitin 1991 pushtoi rajonin e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Shtatorin e kaluar, Baku nisi një "operacion anti-terrorizëm" në Karabak për të vendosur "rendin kushtetues", pas të cilit forcat e mbetura separatiste në rajon u dorëzuan./aa