Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se nëse projektligji i “Amnistisë Penale” miratohet do të përfitojnë 400 të dënuar, të cilët lirohen menjëherë.

Në një emision televiziv, Manja theksoi gjithashtu se nga miratimi i këtij projektligji 1120 të dënuar përfitojnë ulje dënimi, 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë. Gjithashtu përfitojnë edhe 2500 persona që janë në shërbim prove”.

Ministri Manja foli edhe për akuzat e opozitës, e cila pretendon se ndryshimet në projektligjin për amnistinë penale janë bërë për të amnistuar zyrtarët e lartë të korruptuar.

Manja theksoi se “absolutisht asnjë zyrtar i lartë i dënuar nga GJKKO nuk përfiton nga kjo amnisti”.

“Amendamenti u jep mundësinë e uljes nga dënimi 1 vit burrave dhe 1 vit e gjysmë grave, pavarësisht nga gjykata që e ka dhënë këtë vendim. Nuk përfitojnë nga amnistia të dënuarit nga GJKKO për korrupsion, shpërdorim detyre apo krim të organizuar”, tha Manja./ata