Ministri Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku deklaroi sot se çështja e votës së emigrantëve dhe votimit elektronik janë bllokuar nga ana e partizanizmit, por jo nga PS.

I ftuar në një studio televizive, Mazniku u ndal te këto momente të reformës zgjedhore, ndërsa theksoi se “çështja e votimit të emigrantëve ka vite që është shtruar për diskutim nga Partia Socialiste”.

“Partia Socialiste si forcë politike ka qenë forca që ka propozuar në mënyrë eksplicite vendosjen e parashikimeve në Kodin Elektoral për ta mundësuar votën e emigrantëve dhe votimin elektronik. Por siç ka ndodhur në mënyrë sistematike me të gjitha momentet e rëndësishme elektorale ka pasur nevojë që të jenë bipartizane dhe problemi i aplikimit praktik dhe të votës së emigrantëve dhe votimit elektronik ka qenë problemi që janë bllokuar nga ana e partizanizmit, por jo nga PS”, tha ai.

Mazniku theksoi se “të dyja elementet, dhe votimi elektronik dhe vota e emigrantëve, janë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe publike”.

Vota e emigrantëve, sipas tij, është pjesë e komisionit për reformën zgjedhore, ku duhet të diskutohen elementet teknikë dhe ligjorë.

“Ka elementë ligjorë, sepse do kemi të bëjmë me një zonë të posaçme elektorale me disa  deputetë që do jenë ose mbi 140 deputetë, ose prej 140 deputetëve. Ka nevojë për definim kjo gjë, si do votohet? Mund të kenë ikur përpara 30 vitesh, por a ka lidhje me zonën në atë moment, duhet alokuar diku. Ka nevojë për një seri zgjidhjesh ligjore dhe teknike”, tha Mazniku.

Ai shprehu bindjen se “nuk ka asnjë çështje për të cilën nuk ka zgjidhje”.

“Duke qenë se kjo është një çështje me impakt të rëndësishëm, është pjesë e elementëve të komisionit të reformës dhe duhet të përcaktohet fillimisht aty. Ne kemi mbi 1 vit që kërkojmë mbledhjen e komisionit të reformës por nëse nuk mblidhet ai komision, si do të vendoset?. Nuk e caktojmë ne bashkëkryetarin e komisionit. PS nuk cakton bashkëkryetarët, ka të drejtë të caktojë anëtarët e vetë”, shtoi ai./ata