Policia zbuloi një skemë mashtrimi në shuma të konsiderueshme nga një grua e cila hiqej të ishte punonjëse e Kadastrës. 34-vjeçarja Malvina Koçi, i premtoi një qytetari se do t’i legalizonte dhe regjistronte pronësinë mbi një objekt.
34-vjeçarja u arrestua në flagrancë ndërkohë që i merrte qytetarit 450 000 lekë. Nga hetimet, policia ka krijuar bindjen se Malvina Koçi bashkëpunonte me një 41 vjeçar me banim në Tiranë, i cili u shpall në kërkim.
Por ka dyshime se të përfshirë mund të jenë edhe persona të tjerë. Policia sekuestroi paratë, 1 automjet Audi, 2 celularë që mund të kenë biseda e të dhëna të vlefshme, dhe dokumente të tjera që pritet t’i shërbejnë hetimit, mes të cilave dyshohet të ketë edhe dokumente të falsifikuara pronësie.
'Finalizohet operacioni policor i koduar "Premtimi", pas një hetimi intensiv për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e një rasti mashtrimi me shuma të konsiderueshme parash. Operacioni, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Prokurorinë e Tiranës.
I mori para një shtetasi, duke e mashtruar se ishte punonjëse e Kadastrës dhe se do t’i legalizonte pronën, arrestohet në flagrancë, teksa merrte paratë, 34-vjeçarja. Punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të saj, tashmë të identifikuar nga Policia.
Sekuestrohen 450 000 lekë, 1 automjet tip “Audi”, 2 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, për dokumentimin me prova ligjore të një rasti mashtrimi me pasoja të rënda, që kryhej nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës si punonjëse në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, u finalizua operacioni policor i koduar "Premtimi", në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasja M. K., 34 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjatë periudhës hetimore u provua se 34-vjeçarja e arrestuar në flagrancë ndërkohë që i merrte të dëmtuarit, shumën 450 000 lekë, e kishte mashtruar këtë shtetas se ishte punonjëse e Kadastrës, si dhe se do t’i legalizonte dhe regjistronte, pronësinë mbi një objekt.
Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i shtetases M. K., shtetasi J. M., 41 vjeç, banues në Tiranë. Policia vijon punën për kapjen e tij. Ndërkohë, vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.'- njofton policia.