Bashkimi Evropian (BE) miratoi sot paketën e saj të 13-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt 2022.

“Këshilli (i BE-së) miratoi sot – duke marrë në konsideratë vitin e dytë të fillimit të invazionit të plotë të Rusisë në Ukrainë – një paketë të trembëdhjetë masash kufizuese kundër regjimit të (presidentit rus Vladimir) Putinit, atyre që janë përgjegjës për kryerjen e luftës së tij të paligjshme, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit dhe atyre që po e mbështesin ndjeshëm atë”, tha në një deklaratë shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell.

Sanksionet përfshijnë masa kufizuese ndaj 106 individëve dhe 88 subjekteve të tjera që Brukseli i akuzon për veprime që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

“Të përfshirët i nënshtrohen ngrirjes së aseteve dhe qytetarët dhe kompanitë e BE-së u ndalohet të vënë fonde në dispozicion të tyre. Personat fizikë i nënshtrohen gjithashtu një ndalimi udhëtimi, gjë që i pengon ata të hyjnë ose të kalojnë tranzit nëpër territoret e BE-së”, thuhet në deklaratë.

Në listën e sanksioneve janë shtuar edhe 27 subjekte për të cilat deklarata thotë se po mbështesnin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Këto subjekte do t’u nënshtrohen kufizimeve më të rrepta të eksportit për mallrat dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë, si dhe mallrat dhe teknologjinë që mund të ndihmojnë Rusinë të përmirësojë teknologjikisht sektorët e saj të mbrojtjes dhe sigurisë.

Paketa e re gjithashtu shtoi Mbretërinë e Bashkuar në një listë të vendeve partnere që aplikojnë një sërë masash kufizuese për importet e hekurit dhe çelikut nga Rusia./aa