Teksa vazhdojnë trazirat në Francë, pas vrasjes së një 17-vjeçari nga policia, një tjetër I ri ka humbur jetën gjatë protestave.

 

Mediat e huaja bëjnë me dije se një 19-vjeçar ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së enjtes në Seine-Maritime, pasi ka rënë nga një lartësi prej 5 metrash.

 

19-vjeçari dyshohet se u rrëzua nga çatia e një supermarketi rreth orës 5 të mëngjesit në Francën veriperëndimore gjatë protestave. Ai u dërgua në spital por nuk arriti të mbijetonte.

 

Autoritetet raportojnë se janë arrestuar rreth 1,000 protestues gjatë protestave të dhunshme të shkaktuara nga vrasja e një adoleshenti nga policia, tha të premten ministri i brendshëm.

 

Gerald Darmanin tha në një intervistë për kanalin francez TF1, se 45,000 policë janë vendosur në të gjithë vendin në përgatitje për një natë të katërt të mundshme të protestave.

 

Ai e pranoi se trishtimi është legjitim për shkak të vdekjes së Nahel M, 17 vjeç, megjithatë, ai nënvizoi se nuk justifikon atë që po ndodh.Darmanin theksoi gjithashtu se autoritetet do të padisin këdo që përdor mediat sociale për të kryer dhunë.

 

Ministria e Brendshme tha se 11 persona u arrestuan në Strasburg ku u dëmtua ndërtesa e operës. Të gjitha dyqanet u mbyllën pasi protestuesit synuan bizneset, përfshirë dyqanin Apple.

 

Franca ka parë një valë protestash të dhunshme që kur një oficer policie qëlloi për vdekje Nahel M. në periferinë e Parisit, Nanterre, më 27 qershor.