Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu me Serbinë ende nuk është ndër tri prioritetet e qeverisë së tij, edhe pse sipas mediave duket se është prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Kurti ka folur për të arriturat e Qeverisë në tre vjetorin e saj në një konferencë për media me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Sipas Kurtit, tri prioritetet e para të Qeverisë janë pandemia, punësimi dhe drejtësia dhe do të ishte mirë që dialogu të merrte edhe më pak kohë.
“A do të ishte mirë që dialogu të merrte më pak kohë, sigurisht që po. Mirëpo normalizimi i marrëdhënieve nuk është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar Marrëveshjen Bazike për normalizim bashkë me Aneksin e saj, që është arritje e madhe e politikës së jashtme të Kosovës. Por, çfarë duhet të bëjmë kur, që kur është pranuar më shumë se një vit më parë, unë i kam ofruar pesë herë nënshkrimin presidentit të Serbisë dhe ai ka refuzuar pesë herë, dhe nuk ka javë që zyrtarët serbë të mos i shkelin të paktën tetë nga 11 nenet e marrëveshjes”, ka thënë Kurti.
Lidhur me njoftimin e mbrëmshëm se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë po lëvizin përgjatë vijës kufitare me Kosovën, Kurti tha se nuk ka informacione se ka pasur afrim tjetër në kufi gjatë ditës së sotme.
“Gjithçka është nën vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmëri për çdo befasi që mund të na ndodhë. Në ndërkohë natyrisht që këto institucione të sigurisë diskutojnë dhe informojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, EULEX-in, KFOR-in, NATO-n dhe BE-në. Deri më tani, në orën 4 të pasdites, nuk ka asnjë dëshmi se ata janë afruar sërish sot. Ata kanë disa ushtrime ushtarake, por ushtrimet ushtarake nuk mbahen dhjetë metra afër kufirit. Ata vijnë në zonën e sigurisë shumë afër kufirit ku praktikisht nuk ka nevojë as për dronë dhe as dylbi për t’u parë”, theksoi Kurti.
Ai po ashtu ka theksuar se nëse dëshirohet normalizimi i marrëdhënieve, atëherë ushtria duhet të qëndrojë në kazermë dhe jo në kufi.
Kryeministri Kurti po ashtu tha se është i gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare, nëse e kërkon opozita, por se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje./aa