Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi në këtë ditë feste të Fitër Bajramit, Shtëpinë e Foshnjës “Hanna dhe Rozafa” në Tiranë.
Në bashkëbisedim me stafin, ministrja Koçiu i falënderoi për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për t’u dhuruar këtyre fëmijëve sadopak dashuri prindërore dhe ngrohtësi familjare.
Koçiu theksoi angazhimin e vazhdueshëm të MSHMS-së dhe Shërbimit Social Shtetëror për t’u ardhur në ndihmë dhe mbështetur fëmijët pa kujdes prindëror.
Ministrja apeloi për bashkëpunim, në mënyrë që asnjë foshnjë apo fëmijë të mos ndjehet i braktisur.
“Shërbimi ynë Social i ka të gjitha kushtet që të mbrojë absolutisht çdo të mitur në Republikën e Shqipërisë dhe t’i ofrojë një rritje të denjë, ashtu si të gjithë moshatarët e tjerë. Për t’ia dalë mbanë, kemi nevojë për solidaritetin dhe bashkëpunimin tuaj. Denonconi çdo rast dhune apo abuzimi, kudo që e verifikoni atë. Edhe në qoftë se nuk ju përket direkt, edhe nëse është fëmija i fqinjit apo një situatë që e shihni në rrugë, le të mos heshtim”, deklaroi Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu apeloi gjithë qytetarëve: “Le të mos bëhemi bashkëpunëtor me heshtje në këto fenomene që s’kanë asgjë të përbashkët me vlerat e jashtëzakonshme të shoqërisë dhe familjes shqiptare.”/ata