Nëpërmjet programeve të akselerimit mbi Pronësinë Intelektuale dhe Industriale, sipërmarrjet në Shqipëri mund të rrisin potencialin e zhvillimit ekonomik dhe inovacionin për ta pozicionuar vendin si një qendër e avancuar e inovacionit për rajonin.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se, “IP4Startups, është programi i cili mbështet drejtpërsëdrejti startupet shqiptare mbi Pronësinë Intelektuale dhe Industriale”.

“Startupe nga Shqipëria, a jeni gati ta ktheni inovacionin tuaj në aset? Atëherë programi IP4Startups është mundësia që po kërkoni! IP4Startups, është një program intensiv akseleremi mbi Pronësinë Intektuale dhe Industriale dhe ka si qëllim adresimin e nevojave specifike të startupeve”, u shpreh ministri.

Gonxhja theksoi se programi synon të mbështesë 10 startupe shqiptare, që të arrijnë potencialin e tyre, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve dhe suportit të personalizuar për regjistrimin dhe mbrojtjen në mënyrë efektive të aseteve të pronësisë intelektuale.

“Aplikoni brenda datës 31 Gusht për të qënë 1️ nga 10 startupet e përzgjedhura. Ky projekt implementohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale në Shqipëri (DPPI) në bashkëpunim me Projektin Shqiptaro-Zvicerian të Pronësisë Intelektuale (ALSIP)”, u shpreh Gonxhja./ata