I përfshirë prej 16 vitesh në UNESCO, qyteti i një mbi një dritareve falë investimeve në infrastrukturën rrugore në zonat historike, por jo vetëm është kthyer ndër destinacionet kryesore turistike për turistët vendas e të huaj.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo në një intervistë për ATSH-në theksoi se “investimet prekin kryesisht fushën e turizmit, duke pasur parasysh impaktin e tyre jo vetëm në aksesin drejt Qendrës Historike, por edhe ndërhyrjet në aspektin strukturor të qytetit, duke pasur parasysh sistemimin e kanalizimeve dhe ujërave të zeza, mbrojtjen mjedisore, shtimin e atraksioneve turistike, si dhe promovimin e produkteve lokale”.

“Projektet në infrastrukturë, të cilat janë duke u implementuar për vitin 2024 kanë bërë të mundur rehabilitimin dhe restaurimin e Qendrës Historike të Beratit, ku përmendim projektin e rehabilitimit të siluetës urbane në Goricë duke krijuar një pedonale të bukur buzë lumit dhe pranë lagjes muzeale; projektin e Urës së Bilçës, e cila është një investim madhor që lidh qytetin me fshatin Bilcë dhe shton aksesin drejt siteve të eko-turizmit si dhe projekti i rivitalizimit të Liqenit të Mbreshtanit, duke shtuar një atraksion turistik në eko-turizëm”, nënvizoi Demo.

“Një tjetër projekt është ai i Parkut Rekreativ ‘’Dua të luaj’’, i cili bën të mundur krijimin e një hapësire shplodhëse dhe rekreative për aktivitete sportive, fusha sportive dhe ambiente shplodhëse”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo veçoi gjithashtu një tjetër projekt, atë të Tregut të Gjelbër.

“Ky projekt me kapacitet 120 vende për produktet e fermerëve, i cili do të kthehet edhe në një atraksion për turizmin, pasi do gjejnë produkte bio nga fshatrat përreth Beratit”, tha Demo.

Demo nuk lë pa përmendur edhe projektin e ndërtimit të gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, që sipas tij do jetë një nga shkollat më moderne në Shqipëri.

Lidhur me projektet që do të fillojnë së shpejti, Demo veçon sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ndërtimin e impiantit të trajtimit të tyre.

“Ky projekt do të bëjë të mundur shmangien e ndotjes në Lumin Osum.  Ndërkohë projekti i riciklimit të mbetjeve urbane do ta kthejë Beratin në një destinacion të ekonomisë së gjelbër”, theksoi ai.

Demo u shpreh se “në vijim presim edhe implementimin e dy projekteve që kanë të bëjnë më rrugë aksesi në Kala ‘’Rruga Shkëmbi’’ dhe rruga që lidh Velabishtin me Goricën, duke përfunduar paketën e investimeve në infrastrukturë rrugore në zonat historike”.

Sa i përket investimeve të nisuara në 2023 dhe që po vijojnë të zbatohen, Demo tha se “investimet e filluara në vitin 2023 që kanë të bëjnë më rehabilitimin e sheshit qendror ‘’ Teodor Muzaka’’ dhe rehabilitimin e siluetës urbane në Goricës pritet të mbyllen brenda tre muajve, ndërkohë janë në proces investimet në ish- stadiumin e vjetër për Parkun ‘’Dua të Luaj’’ i cili pritet të mbyllet brenda vitit 2024, së bashku me investimin e gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”. Ndërkohë investimi i Urës së Bilçës pritet të mbyllet në fillim të vitit 2025″.

Vitet e fundit bashkia e Beratit po kryen një sërë investimesh në infrastrukturën e rrugëve të qytetit, si dhe në trotuare, instalimin e sistemit të ndriçimit, përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe rrjetin e ujërave të zeza. Berati, qyteti unik i futur në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, është një nga destinacionet turistike kryesore në vend./ata