Qëndrimi armiqësor i Serbisë ndaj Kosovës, prezenca e dyzetë e tetë bazave operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës dhe blerja e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina, janë rrezik real dhe ashtu do të trajtohen nga Kosova.

Kështu ka thënë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka theksuar se sa i përket aspektit të përgatitjes së mbrojtjes, Kosova qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo normalisht problemi është politik.

“Prezenca ushtarake e ushtrisë së Serbisë në jug të territorit të Serbisë dhe prezenca e 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës duke i shtuar kësaj edhe bazamentin që është qasja hegjemoniste dhe agresive politike e Republikës së Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, ky rrezik është real dhe vlerësojmë që përderisa Serbia vazhdon militarizimin, blerjet e sistemeve dhe armatimit nga Rusia dhe Kina dhe përderisa rrit kapacitetet ushtarake dhe sidomos ato në kufi me vendin tonë, ky rrezik është real dhe vlerëson që vendi ynë do ta trajtojë me të vërtetë si një rrezik real,” thotë Maqedonci.

Ai shprehet se Kosova qëndron afër anëtarësimit në NATO, mirëpo problemi është politik, sidomos nga shtetet mosnjohëse.

Përndryshe, në “Samitin Ballkanik të dezinformimit”, Maqedonci ka thënë se grupet e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska, kanë përdorur armatim të prodhuar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë dhe se kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë në Serbi./ata