Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediet u foli për vendimin e qeverisë e cila ka rialokuar 102 milionë euro për investime publike dhe për uljen e borxhit.

“Shqetësimi më i madh i Partisë së Lirisë është që 76 milionë euro që janë grumbulluar nga skema e pensioneve do të përdoren për të larë borxhet e qeverisë, e cila dihet që vjedh me inceneratorë fantazmë që nuk ekzistojnë, me rrugët e florinjta që shemben si ajo që ka bllokuar dhe qarkullimin midis Korçës dhe Ersekës, me PPP-të e pafundme shumica e të cilave janë në hetim dhe me tenderë sekretë”, tha Meta.

Ai theksoi se, “Partia e Lirisë do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve, duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë si dhe do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mos indeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës”.

Gjithashtu, shtoi Meta, “Partia e Lirisë dhe grupi i saj i ekspertëve të shëndetit ka propozuar, mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore. Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore”.

Meta foli edhe për ligjin për zonat e mbrojtura.

Sipas tij, “me këtë ligj, Shqipëria nuk do të ketë më pasuri natyrore të mbrojtura nga shteti dhe pasojat shumë të rënda do të jenë të pakthyeshme dhe me kosto të parikuperueshme edhe për vetë turizmin”.

“Tërheqja nga rendi i ditës gjithashtu në seancën e fundit plenare të projektligjit për Amnistinë Penale ishte një tjetër dëshmi tronditëse se si institucioni i Kuvendit është marrë peng nga Edi Rama, ku ligjet futen dhe hiqen në rendin e ditës, sipas axhendave politike të Kryeministrit dhe pazareve të ulta politike që bëhen apo zhbëhen”, tha më tej Meta./ata