Kabineti i Luftës i Izraelit ka vendosur të dërgojë një delegacion në Katar për të zhvilluar bisedime për një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me grupin palestinez Hamas.
Siç raporton transmetuesi izraelit Channel 12, “një delegacion izraelit, me nivel përfaqësimi më të ulët se ai në bisedimet e Parisit, do të shkojë në Katar për të vazhduar negociatat mbi marrëveshjen e shkembimit të pengjeve”.
Bisedimet në Paris për të arritur një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit filluan të premten pasdite, me pjesëmarrjen e një delegacioni izraelit të kryesuar nga shefi i Mossad-it, David Barnea, shefi i CIA-s, William Burns, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani dhe shefi i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel.
Gjatë bisedimeve nuk u arrit asnjë marrëveshje. Megjithatë, media izraelite dje raportoi se delegacioni negociator izraelit u kthye nga Parisi dhe foli për “negociata të mira dhe një atmsoferë pozitive”.
Një armëpushim midis Hamasit dhe Izraelit më parë u arrit për një javë nga 24 nëntori deri më 1 dhjetor, i ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, gjatë të cilës armiqësitë u ndërprenë, u shkëmbyen disa të burgosur dhe ndihma humanitare jashtëzakonisht e kufizuar u dorëzua.
Sipas burimeve zyrtare nga të dyja palët, Izraeli beson se 134 izraelitë mbahen ende në Gaza, ndërsa në burgjet e tij mbahen të paktën 8.800 palestinezë.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë mbi 29.600 palestinezë, ka plagosur rreth 70 mijë të tjerë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme në enklavën palestineze. Nga pala izraelite, Tel Avivi thotë se rreth 1.200 njerëz u vranë në sulmin e Hamasit.
Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Armiqësitë kanë vazhduar pandërprerë, megjithatë edhe dërgesat e ndihmave mbeten mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare./aa