Pavarësisht përmirësimeve që mund të jenë bërë në aspektin tatimor me masa, biznesi sheh se qëndrueshmëria e politikave fiskale dhe vendimet apo interpretimet teknike të ligjeve janë shqetësuese për të. Raporti i Këshillit të Investimeve dalë pas rezultateve të anketës me mbi 600 biznese nënvizon këtë pikë si një nga pikat e rëndësishme që duhet të shihen me kujdes.
Ky raport vlerëson se “ndërsa ekziston një konsensus për përmirësimin e komunikimit dhe ndërveprimit me administratën tatimore qendrore, sektori privat mbetet i shqetësuar për stabilitetin e politikave fiskale, cilësinë e komunikimit fiskal (vendimi tatimor)/interpretimi teknik i legjislacionit dhe profesionalizmi i administratës”.
Komunikimi në tërësi sipas të anketuarve ka qenë më pozitiv me administratën pozitive në 5 vitet e fundit. “Një rritje e lehtë në tendencat pozitive është vërejtur në ndërveprimet fillestare të biznesit me administratën tatimore (2019-2024).
Një në dy biznese beson se komunikimi me administratën tatimore është përmirësuar gjatë dy viteve të fundit dhe kjo tendencë ka mbetur relativisht e qëndrueshme me kalimin e kohës. Kur merret parasysh madhësia e kompanisë, situata duket kryesisht e ngjashme, megjithëse kompanitë e vogla mund të perceptojnë dallime të vogla në përkeqësimin e komunikimit. Kjo prirje i atribuohet kryesisht reduktimit të ndërveprimit njerëzor që rrjedh nga rritja e shërbimeve të digjitalizuara” nënvizon raporti.
Dokumenti thekson se nga takimet e zhvilluara me sektorin privat, është shfaqur një shqetësim i theksuar tek bizneset lidhur me cilësinë e kontrollit tatimor, shpjegimet ligjore dhe teknike dhe opinionet (vendimet tatimore) të dhëna nga administrata tatimore për çështjet e ngritura nga bizneset.
“Çështjet e përsëritura të përgjigjeve të vonuara, që kërkojnë kohë, jo të plota dhe/ose jokonsistente ndaj çështjeve tatimore të ngritura nga tatimpaguesit janë çështjet më të përhershme të theksuara nga biznesi, të cilat çojnë në përshkallëzim të kostove të pajtueshmërisë tatimore, vonesa dhe mungesë sigurie për shkak të dyshimeve.
Në analizën tonë, kërkohet transparencë më e madhe në bërjen publike dhe lehtësisht të aksesueshme të manualeve dhe vendimeve tatimore, për shembull, vendimet/udhëzimet ligjore dhe teknike për çështje specifike tatimore të tatimpaguesve, të cilat mund të shërbejnë si një mjet për unifikimin e praktikave administrative tatimore, dhe përmirësimi i pajtueshmërisë tatimore pa kosto të mëtejshme dhe/ose ndryshime ligjore.
Ky është jo vetëm një detyrim ligjor sipas përcaktimeve të neneve 10, 28 dhe 135 të ligjit 9920/2008 “Për procedurat tatimore”, të miratuara gjatë viteve me synimin kryesor konsolidimin e precedentëve tatimor, por edhe një mekanizëm lehtësues që rrit përgjegjshmërinë.
Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe vendimet e strukturave të apelimit tatimor, të cilat janë instrumente efektive për vetëkorrigjimin e administratës dhe tatimpaguesve, ndaj vendime të tilla duhet të publikohen në mënyrë sistematik” thuhet në raportin e KI./Monitor