Që nga fillimi i këtij viti rënia e nivelit të çmimve dhe zhvlerësimi i euros shfaqën efekte të dukshme në eksportet shqiptare. Por çfarë sinjalizojnë të dhënat zyrtare në tetë muaj për hartën e eksporteve shqiptare?

Përgjatë tetë muajve eksportet e mallrave arritën vlerën 255 mld lekë, duke u ulur me 14.9%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 595 mld lekë, duke u rritur me 3.2%, krahasuar me një vit më parë. Kjo rënie prej gati 15% e eksporteve është ndikuar kryesisht nga lëndët djegëse dhe tekstilet, ku këto të fundit kanë vijuar të japin kontribut në rënie muaj pas muaji.

“Scan Intel” është ndalur kryesisht në emrat e 10-të partnerëve kryesorë për të parë se si ka ndryshuar pesha e tyre në harkun e tetë muajve, krahasur me një vit më parë. Sipas të dhënave katër partnerët kryesorë, Italia, Kosova, Greqia dhe Gjermania, kanë mbetur të pandryshuar, krahasuar me periudhën Janar-Gusht të viti të kaluar.

Ndryshime të vogla vërehen në peshën e secilit vend ndaj totalit, ku mund të përmendim rritjen që ka patur Italia me 0.8 pikë dhe Kosova me 1.3 pikë. Nga ana tjetër, shohim se pesha e Greqisë për periudhën tetë mujore të këtij viti ka rënë nga 7% në 6.2%.

Maqedonia e Veriut shihet të ketë spostuar Spanjën në vend të gjashtë këtë vit, gjithmonë nëse i referohemi 10 partnerëve kryesorë në drejtim të eksporteve. Po ashtu, Kina ka kaluar në vend të shtatë për nga pesha që ka në totalin e ekporteve tona, duke kaluar para Serbisë dhe Malit të Zi.

Ndërkohë, ajo që vihet re nga harta e partnerëve kryesorë është dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga lista dhe hyrja e Sllovakisë me një peshë ndaj totalit prej 1.7%.

Por, pararësisht peshës, si paraqitet ndryshimi vjetor në vlerë i partnerëve tanë kryesorë sa i përket ekporteve? Gjatë këtij tetëmujori vendi me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, është Spanja me 41%, pasuar nga Mali i Zi me 26%, Maqedonia e Veriut me 24% dhe Greqia me 24%. Me rënie po ashtu paraqiten Italia, Gjermania, Serbia dhe Kosova. Me rritje paraqitet vetëm Kina ndër 10 partnerët kryesorë./Scan