Ministri izraelit i Ekonomisë, Nir Barkat u takua me ministrin e Tregtisë dhe Informacionit të Arabisë Saudite, Majid bin Abdullah al-Kasabi në një konferencë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Në deklaratën nga Ministria e Ekonomisë së Izraelit thuhet se Barkat mori pjesë në konferencën ministrore të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) që u mbajt në Abu Dhabi të EBA-së.

Barkat në konferencë pati takim me ministrin e Tregtisë dhe Informacionit të Arabisë Saudite, Al-Kasabi. Në deklaratë thuhet se Barkat i tha Al-Kasabit: "Izraeli dëshiron paqe me vendet që duan paqe dhe ne mund të bëjmë histori së bashku".

Mediat izraelite raportuan se dy ministrat shtrënguan duart dhe i dhanë njëri-tjetrit kartat e tyre të biznesit.

Arabia Saudite dhe Izraeli nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Qeveria e Rijadit ka deklaruar më parë se normalizimi me Izraelin nuk është i mundur pa krijimin e një shteti të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967 dhe pa tërheqjen e forcave izraelite nga Rripi i Gazës./aa