Xhudisti Indrit Çullhai, i cili aktivizohet tek klubi Tirana, fiton vendin e tretë në kampionatin ndërkombëtar të xhudos “British Open” që u zhvillua në Londër. Pjesëmarrës në aktivitet ishin 450 sportistë, teksa sportisti shqiptar, i cili garon në peshën 73 kg arriti të dalë i treti.

Në gjashtë sfidat e luajtura, Çullhai triumfoi në pesë, duke siguruar medaljen e bronztë, Vetë sportisti Çullhai ka postuar në rrjetin e tij social e dhe ndeshjet e fituara. Medalja u dorëzua nga medalisti olimpik, japonezi Ebinuma Masashi.

Ai ka falënderuar dhe ambasadorin e Britanisë në Tiranë, Alastair King-Smith për mbështetjen ndaj Ekipit Kombëtar të Xhudos. “Na bëre të mundur që të kemi bashkëpunime me sportistët anglezë e të shkëmbejmë eksperienca me njëri-tjetrin për të pasur rritje e zhvillim sporti i xhudos në Shqipëri”, shkruan Çullhai./ata