Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, deputetja Erisa Xhixho, në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit, këtë të hënë, u shpreh se ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, i hapin rrugë investimeve të parave të pista në këto zona, duke i dëmtuar këto pasuri kombëtare.
Sipas Xhixhos, Presidenti i Republikës nuk duhet ta dekretojë këtë ligj që, sipas saj, i kthen zonat e mbrojtura në sheshe ndërtimi.
“Me këtë ligj zonat e mbrojtura, do të shndërrohen në sheshe ndërtimi për resorte, komplekse pallatesh apo biznese, shumica e të cilave do të vihen në shërbim të pastrimit të parave të krimit e korrupsionit”, tha Xhixho.
“Së pari, kompetencat i kalojnë Këshillit Kombëtar të Territorit duke iu hequr Ministrisë së Mjedisit. Së dyti, lejohen investimet strategjike dhe kategoritë e investimeve strategjike si resorte e biznese shërbimi etj. Falë ligjit të ri, nuk do të ketë më zona të mbrojtura. Pra, mund të ndërtohet në Butrint, Karavasta, Mal të Dajtit apo në Liqenin e Ohrit. Ligji largon ekspertët nga vendimmarrja dhe e kalon atë tek Këshilli i Ministrave”, sqaroi Xhixho.
“Në këto kushte, ne i kërkojmë publikisht Presidentit të Republikës që në përputhje me autoritetin që i jep Kushtetuta të mos e dekretojë ligjin klientelist të mazhorancës, për të dëshmuar në këtë mënyrë jo vetëm se nuk është një shtojcë e pushtetit të saj, por mbi të gjitha, të mbrojë nga barbaria pasuri të parikthyeshme më e të krijuara në mijëra vjet, te cilat ne e kemi për detyrë t’ua lëmë brezave të ardhshëm të paprekura njësoj siç na i kanë lënë ne paraardhësit tanë”, tha Xhixho./ata